Lushtaku dhe katër të tjerë në mbajtje
Update- Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje. Këtë e ka konfirmuar avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci.Përveç Lushtakut, për njëzetekatër orë janë ndaluar edhe Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi.

Avokati i Kryetarit te Skenderajt ka thënë se Sami Lushtaku nuk është marrë në pyetje, por vetëm atij iu është kërkuar ti jap të dhënat personale.

"Me kërkesë të prokurorit special sot Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje policore. Ai dyshohet se ka kryer krime lufte dhe ka shkelur konventën e Gjenevës", ka thënë Koci, pasi ka dal nga EULEX'i.

"Ai është i pafajshëm. Besojmë se shumë shpejt do të qartësohet kjo çështje. Nesër ai do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake, i cili do të vendosë për paraburgimin eventual", ka shtuar ai.

Ndryshe, nesër (e premte) në orën 15, pesë ish-ushtarët e UÇK'së do të dalin para gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili pastaj do të vendos nëse të dyshuarit do mbahen në paraburgim apo do të mbrohen në liri.

Tomë Gashi do të jetë mbrojtës ligjor i Sylejman Selimit, i cili po dyshohet nga EULEX-it për krime lufte. Avokati Gashi ka thënë për Express se do të njoftohen pas pak orësh për statusin e Selimit.

”Unë e kam dorëzuar në EULEX autorizimin se jam avokat i Sylejman Selimit, i cili sipas medieve, po akuzohet për krime lufte. Zyrtarisht do të njoftohemi pas pak orësh për statusin e Selimi. Në ora 16:00 do ta marrim vesh saktësisht se për çfarë bëhet fjalë”, ka deklaruar Gashi. /albeu.com/


14.45- Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi janë arrestuar nga EULEX-i për krime lufte.

Kjo është realizuar sot pasi, policia e EULEX-it në bashkëpunim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar sot pesë persona,për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e cenimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skenderajit). /albeu.com/

....................

12.45- EULEX-i njoftoi se të enjten në bashkërendim me Njësinë e Operacioneve Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), kanë arrestuar pesë persona, por pa dhënë emrat e të arrestuar.

Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skenderajit).

Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte.

Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore të Mitrovicës.

Rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK).

Ndryshe “Express” gjatë orëve të paradites njoftoi se në mesin e të dyshuarave është Sylejman Selimi (Ambasador i Kosovës në Tiranë), Sami Lushtaku (kryetar i Skenderajt), Jahir dhe Zeqir Demaku, Sabit Geci, Hysni Thaçi dhe Sahit Jashari, të cilit në luftën e fundit i janë vrarë 16 anëtarë të familjes.

Express njofton se Sami Lushtaku është ndalë në mbajtje. Këtë e ka konfirmuar avokati i Sami Lushtakut, Arianit Koci. /albeu.com/

.......................

12.05- EULEX ka filluar marrjen ne pyetje te komandantëve kryesorë të Drenicës, nën dyshimet për krime lufte. Por, nuk dihet nëse prokurorët evropianë kanë ngritur aktakuzë ndaj ndonjërin prej të dyshuarave.

Në mesin e të dyshuarave është Sylejman Selimi (Ambasador i Kosovës në Tiranë), Sami Lushtaku (Kryetar i Skenderajt), Fadil Demaku (Deputet i PDK-së), Sabit Geci, Hysni Thaçi dhe Sahit Jashari, të cilit në luftën e fundit i janë vrarë 16 anëtare të familjes, shkruan Express.

Express ka kontaktuar me Sami Lushtakun, i cili ka qenë rrugës për në selinë e EULEX’it, ku është ftuar për t''u marrë në pyetje lidhur me rastin më të fundit të krimeve të luftës kundër të të ashtuquajturit Grupit të Drenicës.

“E dorëzova Sahit Jasharin me dorën time, e tash po shkoj edhe vet, si zakonisht, vullnetarisht”, tha duke qeshur Lushtaku. /albeu.com/
Shtuar më 23/05/2013, ora 17:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori