Eulex-i po kënaqet
Prokurorët dhe hetuesit e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) vazhdojnë të bëjnë "qejf" dhe të ndihen komodë përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.

Derisa këto dukuri raportohen edhe në Raportin e progresit të Komisionit Evropian si çështje shqetësuese që po shënojnë rritje, në taborin e EULEX-it nuk vërehet ndonjë përkushtim i shtuar, apo ndonjë rezultat konkret për të përmbushur obligimet për të cilat janë të determinuar t’i kryejnë, shkruan e përditshmja Zëri.

EULEX-i, i njohur muaj më parë për bastisjet spektakulare, muajt e fundit është bërë vetëm “spektator” i zhvillimeve në Kosovë, kryesisht në veriun e “nxehtë”. Burime ndërkombëtare, ndërkaq, i deklaruan gazetës se përqendrimi i EULEX-it në veriun e Kosovës nuk e justifikon mospunën dhe mospasjen e rezultateve në luftën kundër korrupsionit.

Sipas të njëjtave burime, largimi i kryeprokurorit Johanes Van Vresweijk në qershor të këtij viti ka “lazdruar” në masë të madhe prokurorët e misionit EULEX, të cilët tashmë nuk kanë shef, ndërsa veprojnë nën ombrellën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit.

Përveç prokurorëve të të gjitha niveleve, të cilëve u mungon shefi , kryeprokuror nuk ka as Prokuroria Speciale e Kosovës, që me ligj drejtohet nga një prokuror i EULEX-it.
Shtuar më 01/11/2011, ora 09:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori