EULEX-i largohet pasi të përfundojë rastet e mëdha
Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se po zhvillojnë bisedime të nivelit politik me Bashkimin Evropian për mundësinë e vazhdimit të mandatit të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, që duhet të përmbyllë mandatin e tij më 12 qershor. Ata theksojnë se çështjet teknike për mandatin e ri kanë përfunduar.

Misioni i EULEX-it, një prej misioneve më të mëdha në historinë e Bashkimit Evropian, u shtri në Kosovë me ftesë të autoriteteve të vendit, pak ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për të ndihmuar shtetin e ri, në fushën e sundimit të ligjit.

Mandati i EULEX-it u ripërtëri në vitin 2014, por autoritetet në Kosovë që atëherë thanë se po punojnë që misioni ta përfundojë punën e tij brenda afatit prej dy vjetësh, sa iu zgjat mandati.

Ndërkohë që mbyllja e këtij mandati bëhet në qershor të këtij viti, por bisedimet për vazhdimin e punës së EULEX-it, kanë hyrë tani në një fazë përfundimtare.

Besnik Berisha, këshilltar i Jashtëm për çështje të Drejtësisë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se ekziston një gatishmëri e përgjithshme e të gjithë pjesëmarrësve në negociata, që EULEX-i, t’i përfundojë të gjitha rastet, në të cilat është i angazhuar, qoftë në hetim apo në gjykim.

“Është arritur një pajtueshmëri për disa çështje, por ende sa i përket afatit dhe mundësisë së marrjes së lëndëve të reja nga EULEX-i, nuk është finalizuar. Dhe, besoj se kjo çështje do të trajtohet në nivel politik dhe në ditët në vijim, do të kemi rezultate”.

“Çështjet teknike janë çështjet në vazhdim për të siguruar një mbarëvajtje të të gjitha procedurave që kanë filluar, qoftë në Prokurori, qoftë në gjykata, me kusht që qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët janë subjekt i ndjekjes penale ose gjykimeve nga gjyqtarët, respektivisht prokurorët e EULEX-it, të mos pësojnë dhe mos të kenë vonesa për një ditë të vetme”, ka deklaruar Berisha./Albeu.com/
Shtuar më 28/05/2016, ora 09:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori