EULEX-i kthen gjyqtarin Vladimir Mikula në rastin e Azem Sylës
Pas tërheqjes nga kërkesa për kthimin e gjyqtares Nora Bllaca në trup gjykues, i cili po e gjykon ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla, si dhe 38 të akuzuarit për krim të organizuar në rastin “Toka”, “EULEX” tash ka kthyer gjyqtarin tjetër, Vladimir Mikula, i cili ka qenë bashkë me Bllacën pjesë e trupit gjykues kur është zhvilluar hetimi i veçantë para dy vjetësh.

Krejt këtë, ky mision ndërkombëtar po e bën me qëllim që t`i ikë përsëritjes së tërë procesit gjyqësor.

Një gjë e tillë i është konfirmuar “Kohës Ditore” nga zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha- Rizaj.

Megjithatë, ajo ka thënë se kthimi i gjyqtarit ndërkombëtar, Mikula nuk dihet nëse do të mjaftojë që të mos përsëritet procesi gjyqësor ndaj Sylës dhe të tjerëve.

“Sa i përket mundësisë se a do të përsëriten apo jo procedurat e deritanishme gjyqësore, tani për tani nuk është e mundur qe te konfirmohet apo mohohet kjo”, ka thënë zëdhënësja.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, duhet së paku një gjyqtar, i cili ka marrë pjesë në trup gjykues gjatë hetimit të veçantë, të jetë i pranishëm kur të fillojë procesi i rregullt gjyqësor.

Koha Ditore, gjatë ditës ka raportuar për mundësinë e përsëritjes së këtij procesi gjyqësor pas dy vjetësh, pasi EULEX-i është tërhequr nga kërkesa drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që t`i mundësohet gjyqtares Bllaca për t`u kthyer në trup gjykues.

Gjyqtarja Bllaca së fundi ka kaluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në Gjykatë të Apelit.

Kryetari i trupit gjykues, Arcadius Sedek, gjatë seancës së fundit të mbajtur javë më parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë se po kërkojnë kthimin e gjyqtares Bllaca, meqë “në të kundërtën do të përsëriten të gjitha procedurat dhe ka rrezik që këtë gjykim nuk do të mund ta gjykojë EULEX-i deri në fund, pasi mandati i përfundon në qershor”.

Gazeta i është drejtuar Zyrës për Informim të EULEX-it, për të kuptuar arsyen e tërheqjes nga kërkesa. Zëdhënësja , Donika Berisha-Rizaj, ka thënë se janë tërhequr për shkak të së drejtës për gjykim të drejtë, por pa sqaruar më tutje rastin.

“Arsyeja e tërheqjes se kërkesës sa i përket caktimit te gjyqtares Nora Bllaca ne ketë rast, është qe te respektohet parimi i efikasitetit të drejtësisë përkatësisht, të së drejtës për gjykim të drejtë”, ka thënë ajo.

Gjyqtari Vladimir Mikula është në mesin e gjyqtarëve ndërkombëtarë, të caktuar muaj më parë në Gjykatën Speciale.
Shtuar më 18/01/2018, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori