EULEX harron “pronton”
Nuk dihet nëse misioni i EULEX po vazhdon hetimet rreth zbulimit të atyre që publikuan para 6 muajsh disa përgjime telefonike të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës. Edhe pas kaq kohësh, ky mision është i rezervuar në dhënien e informacioneve për të ashtuquajturën afera “Pronto”. Ata preferojnë të mos e komentojnë fare këtë rast.

Përgjimet u publikuan. I gjithë muhabeti privat midis zyrtarëve të lartë shtetërorw doli në publik. Por kurrë nuk u zbulua se kush qëndron prapa zbulimit të këtyre telefonatave private mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, shefit të grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci, Kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe disa zyrtarëve të tjerë të të njëjtës parti.

Publikimi i këtyre përgjimeve, mbetet mister edhe sot, pas 6 muajsh publikim. Se kush qëndron pas nuk u mor vesh kurrë. Të paktën jo për publikun. Pos që u konfirmua se këta zyrtar ishin duke u përgjuar nga EULEX’i, të tjerat mbeten sekret. EULEX ka vendosur që edhe pas kaq muajsh, të hesht rreth hetimeve për aferën e ashtuquajtur “Pronto”.

Ka pesë ditë që Express i ka dërguar një email zyrës për informim të EULEX’it. Pas kaq ditësh EULEX vendosi të flasë, megjithëse ka vazhduar të fsheh se deri ku kanë shkuar hetimet, të cilat zbulojnë se kush i publikoi këto përgjime.

Blerim Krasniqi, zëdhënës i këtij misioni thotë se aktualisht EULEX, nuk dëshiron të komentojë nëse është duke kryer hetime në zbulimin e personave që kanë publikuar këto incizime.

“EULEX për momentin nuk e komenton këtë rast”, ka qenë përgjigja e shkurtër e zyrës për informim të këtij misioni në Kosovë.

Në nëntor të vitit të kaluar dikush ka publikuar një rrjedhje e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, në “Youtube”. Biseda përshkruan se si Kryeministri Hashim Thaçi kishte drojën të shkojë në degën e PDK-së në Malishevë, që vlerësohet si bastion i nënkryetarit të partisë Fatmir Limaj.

Sipas përgjimeve, Thaçi udhëzon Adem Grabovcin që të shkojë bashkë me anëtarin tjetër të partisë Idriz Vehapin. Grabovcit i thotë që të mbajë një fjalim të shkurtër edhe përkundër se shefi i grupit parlamentar të PDK-së preferon që në vend të tij të shkojë zv/kryeministri Hajredi Kuçi.

Në bisedat telefonike Thaçi-Grabovci, ku i raportohet Kryeministrit për rrjedhat në kuvend, ai përmend edhe një favor tjetër që i kërkohet shefit të grupit parlamentar të PDK-së. Kreu i ekzekutivit kërkonte që në kuvend të diskutohej për buxhetin para datës 20 nëntor.

Ndërkohë në bisedën tjetër telefonike teksa Grabovci raportonte për rrjedhat politike, Thaçi e pyet nëse ka diçka të re nga “banditat tanë” (v.j. nuk e specifikon) dhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi të cilit i referohet si “Jakupovski”.

Kryeministri po ashtu e pyet kryedeputetin e partisë se si po shkon situata politike dhe grupi parlamentar i partisë dhe se a është gjithçka nën kontroll. Grabovci i thotë se grupi është stabil. Por, i rikujton kryeministrit se nuk i ka kryer disa obligime pasi e ka lënë anash një dajë të tij. Kryeministri thotë se nuk i ka thënë më herët për këtë punë.

Nga të përfshirët në përgjime telefonike Kadri Veseli nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës, ndërsa ministrja e integrimeve Vlora Çitaku ka thënë se nuk dëshiron të komentojë rreth këtij rasti.

Në një prej audio incizimeve Kadri Veseli e thërret Adem Grabovcin. Shefi i grupit parlamentar të PDK’së i rrëfen ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës për vizitën që ka pasur në Bruksel.

Ndërkohë në një audio incizim tjetër, Grabovci i kërkon një favor Vlora Çitakut. Ai kërkon që një bashkëvendës të angazhohet si praktikant në Ministrinë e Integrimeve.

Në një tjetër incizim, Grabovci flet me kryetarin e Skënderajt Sami Lushtakun. Të dytë shahen ndërmjet vete. Publikimi i këtyre bisedave telefonike fillimisht u quajtën të falsifikuara, derisa EULEX mohoj duke thënë se ishte ky mision që ka kryer këto përgjime, duke mos dhënë detaje se për cfarë rasti ka ndodh ky përgjim. U bë e ditur se këto biseda telefonike të publikuara në internet, kanë të bëjnë me një proces gjyqësor që ende është duke vazhduar.

Emri i kanalit që i ka postuar videot në rrjetin Youtube është “informatorikosova”. Në emailin që dje u është dërguar mediave, nga adresa [email protected], thuhet: “Këto i kemi marrë nga serverët dhe databazat në EULEX”. /albeu.com/
Shtuar më 22/05/2013, ora 15:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori