EULEX anulon takimin me Hajredin Kuçin: Ndërhyn në gjyqësor
Takimi i paralajmëruar për sot i EULEX-it dhe zyrtarëve të lartë të gjyqësorit të Kosovës, duke përfshirë Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi është anuluar.

Kjo pas disa deklaratave të Ministrit Kuci që EULEX-i po i konsideron si ndërhyrje politike në gjyqësor.

Sot, EULEX’i, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe zyrtarë të lartë të gjyqësorit të Kosovës, duke përfshirë Ministrin e Drejtësisë, kanë pasur në plan që të mbajnë mbledhjen e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit (BPSL) për të rishikuar progresin dhe forcuar qasjen e përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovë, njofton EULEX.

Por ky takim u anulua, pas një interviste të dhënë nga Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ku foli edhe për rastin “Drencia”, e që EULEX-i po e akuzon për frikësim dhe ndërhyrje politike në gjyqësor.

“Mbrëmë, në një intervistë televizive, Ministri i Drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me meritat e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka shkruar EULEX.

“EULEX-i thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm”, ka thënë EULEX.

“Pas kësaj deklarate të Ministrit të Drejtësisë, takimi i sotëm i BPSL-së shtyhet për një datë tjetër”, thuhet më tej në komunikatë. /albeu.com/
Shtuar më 17/03/2016, ora 17:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori