Esktradohet kosovari mashtrues, futën në kurth 400 persona me "seminare pasurimi"
Interpol Tirana bën të ditur se ka ekstraduar sot nga Kosova, “mashtruesin” serial, Burim Haxhiolli, i cili është dënuar nga drejtësia shqiptare me 13 vite burg.

Interpol bën të ditur se Haxhiolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2009 dhe 2010 në bashkëpunim me një shtetas tjetër kanë mashtruar disa shtetas, ndërkohë që kanë tentuar dhe të pastrojnë paratë në Shqipëri.

Më parë në Shqipëri ishte ekstraduar edhe bashkëpunëtori i tij Valon Kycyku.

Burim Haxhiolli është ekstraduar sot nga Kosova, dhe pritet të vuaj dënimin në vendin tonë.

“Ekstradohet nga Kosova një shtetas i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale

Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit kosovar :

Burim Haxhiolli , 40 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë.

Shtetasi Burim Haxhiolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 13 vjet burg për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 287/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thekson njoftimi i Interpol Tirana.

Mashtrimi

Këta të dy persona, për muaj me radhë, kishin arritur të ngrinin një strukturë piramidale në Tiranë, duke mundur që të mashtronin rreth 400 persona, nga të cilët dyshohet se kanë përfituar afro 500 mijë euro.

Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua gjatë orëve të natës, nga strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar dhe njësisë Task-Forcë të Prokurorisë së Tiranës. Burimet thanë në atë kohë se Kyçyku dhe Haxhiolli u vunë në pranga në ambientet e një salle, pranë një kompleksi te Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, teksa u jepnin leksione 100 personave që kishin mashtruar.

Nga të mashtruarit, 50 persona sapo kishin derdhur në llogarinë bankare, të hapur në emër të shoqërive të kosovarëve, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, shumën prej rreth 2290 eurosh secili.

Valon Kyçykun

SKEMA E MASHTRIMIT

Dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të cilët pretendonin se administronin dy shoqëri private, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, prej disa muajsh kishin ngritur në Tiranë një skemë piramidale mashtrimi. Vetëm njëra nga shoqëritë, ajo me emër “Euro Life Dooel”, rezultonte e regjistruar me seli në Qipro dhe filial në Shkup të Maqedonisë, ndërsa tjetra dyshohej të ishte fiktive.

Administratorët kishin hapur një numër llogarie në emër të shoqërisë reale, në filialet e një banke të njohur, që kishte degë në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë mënyrë ata e kishin bërë mjaft të besueshme veprimtarinë e tyre, duke arritur që të fusin në “kurth” rreth 400 persona në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personat që rekrutonin, sipas Policisë, ishin punëtorë ndërtimi, marangozë, hidraulikë, të cilët janë joshur nga ideja e pasurimit të shpejtë, nga leksionet e biznesit që u jepnin dy kosovarët.

Por nga ana tjetër, mes të mashtruarve kishte edhe biznesmenë e gazetarë. Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin këtyre personave të paguanin nga 2330 euro për t’u anëtarësuar në shoqërinë e tyre. Por që të pasuroheshin duke marrë përqindje të majme, ata duhej që të rekrutonin secili nga tre persona të tjerë, të cilët po ashtu duhet të derdhnin në llogarinë bankare shumën e caktuar.
Shtuar më 14/05/2019, ora 15:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori