As plani i ri evropian nuk e zgjidh dot krizën e emigrantëve

Nga Annalisa Camilli “Internazionale

Më 21 nëntor, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme Ylva Johansson, prezantoi një plan veprimi evropian për Mesdheun, i cili do të diskutohet të premten në Këshillin Evropian të Ministrave të Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Piantedosi reagoi me entuziazëm, duke thënë se Komisioni ka pranuar kërkesat e Romës për emigracionin. Por në realitet plani nuk përfshin asnjë kod sjelljeje për organizatat joqeveritare që kryejnë operacioni shpëtimi në det, siç ishte kërkuar nga Italia në samitin e mëparshëm të ministrave të brendshëm.

Propozimi i Komisionit Evropian do të bëjë të mundur forcimin e marrëveshjeve me vendet e tranzitit dhe të origjinës së emigrantëve për të ndaluar nisjet e emigrantëve, për të financuar Frontex (agjencinë evropiane për kontrollin e kufijve të jashtëm) dhe për të favorizuar një koordinim më të madh midis vendeve evropiane në shpëtimet e emigrantëve në det, raporton abcnews.al

E vetmja risi e vërtetë është pika 17 e planit, në të cilën Komisioni merr përsipër të promovojë një diskutim me Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO), autoritetin ndërkombëtar detar, për të modifikuar udhëzimet mbi operacionet e shpëtimit, duke bërë përjashtime për anijet organizatat humanitare që operojnë në vendet evropiane.

Dokumenti fokusohet veçanërisht tek mbërritjet përgjatë rrugës qendrore të Mesdheut, përmes së cilës mbi 90.000 njerëz kanë mbërritur në Evropë nga Libia dhe Tunizia që nga fillimi i këtij viti, ose 50 për qind më shumë se një vit më parë.

Plani i ndarë në 20 pika, parashikon ndarjen e 580 milionë eurove deri në vitin 2023 për financimin e marrëveshjeve dypalëshe dhe ndërkombëtare me vendet e tranzitit dhe të origjinës për të ndaluar nisjet, në veçanti për financimin e Libisë, Egjiptit dhe Tunizisë për të forcuar kontrollet e kufijve të tyre, luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, konsolidimin e bashkëpunimit me Nigerin për të ndalur njëherë e mirë refugjatët që vijnë nga andej, inkurajimin e marrëveshjeve të ri-pranimit për emigrantët në vendet e treta pa qenë domosdoshmërisht vendet e origjinës, si dhe inkurajimin e riatdhesimeve.

Plani parashikon gjithashtu që të inkurajohet zhvendosja e emigrantëve në shtetet e ndryshme evropiane, duke forcuar të ashtuquajturin mekanizëm të solidariteti vullnetar, të miratuar që në qershor të këtij viti. Por pjesa qendrore e dokumentit i kushtohet shpëtimit në det, pas përplasjes së fortë midis Romës dhe Parisit mbi anijen “Ocean Viking”.

Tani premtohet një koordinim më i madh në shpëtimin në det midis vendeve të ndryshme evropiane, dhe synimi është të ushtrohet presion mbi IMO për të ndryshuar rregullat e shpëtimit, veçanërisht për anijet humanitare.

Kjo e fundit është e diskutueshme, dhe ka ngritur pikëpyetje midis juristëve, të cilët argumentojnë se nuk mund të lejohet të dështohet në raport me detyrimin e shpëtimit të jetës së emigrantëve, sipas përcaktimeve nga e drejta ndërkombëtare, dhe as të shkruhen rregulla specifike të vlefshme vetëm për anijet e drejtuara nga ojq-të.

Më 16 nëntor, Ministri i Brendshëm Piantedosi raportoi pra 2 dhomave të parlamentit mbi historinë e anijeve të ojq-ve të bllokuara në portin e Katanias, pasi kishte imponuar mbi to një zbarkim selektiv, teksa paraqiti vizionin e tij për “emigracionin”.

Ministri e pranoi se numri i njerëzve të shpëtuar nga anijet e ojq-ve këtë vit është minimal, krahasuar me numrin total të njerëzve që mbërrijnë në Itali nga deti. Në fakt, nga 90,000 njerëz që mbërritën nga deti që nga fillimi i këtij viti, vetëm 11.000 u shpëtuan nga anijet e ojq-ve, ose 12 për qind e totalit.

Në të njëjtën periudhë, Italia priti 172.000 njerëz të larguar nga Ukraina për shkak të luftës. Për më tepër, Piantedosi përmendi një faktor që tashmë është mohuar nga studime të shumta universitare dhe institute të pavarura kërkimore si ISPI:parimi i faktorit tërheqës.

“Prania e anijeve të oqj-ve në Mesdhe, pranë bregdetit libian, vazhdon të përfaqësojë një faktor tërheqës si për emigrantët ashtu edhe për trafikantët e qenieve njerëzore,” tha Piantedosi. Studiuesi i ISPI, Matteo Villa, ka mbledhur të dhëna për nisjet e refugjatëve nga Libia që nga viti 2014. Ai thotë se në veçanti që nga 1 janari deri më 28 maj 2021 “kur anijet nuk ishin aty, u nisën mesatarisht më shumë emigrantë (135 në ditë) sesa kur anijet e ojq-ve ishin të pranishme në atë zonë të detit (125 në ditë)”- thotë Villa.

Pra anijet humanitare, nuk janë treguar kurrë një faktor tërheqës për ata që duan të largohen. Ndërkohë Piantedosi tha se mjetet lundruese nuk u koordinuan me autoritetet italiane gjatë shpëtimit, dhe se ato i njoftuan vetëm pasi kishte ndodhur shpëtimi. Në kundërpërgjigje organizata Mjekët pa Kufij (MSF) publikoi të gjitha komunikimet e përcjella nga kapiteni i anijes “Geo Barents” autoriteteve detare të Libisë, Maltës, Italisë dhe Norvegjisë më parë, gjatë dhe pas operacionit të shpëtimit.

“Që kur dolëm në det në vitin 2015, për të mbushur boshllëkun e misioneve të kërkim-shpëtimit, ne kemi vepruar me transparencë të plotë dhe në përputhje me rregullat me objektivin e vetëm për të shpëtuar jetën e njerëzve”- shkruan MSF në një deklaratë.

Po ashtu kjo ojq apeloi në Gjykatën Administrative të Lazios (TAR) kundër vendimit për një zbarkim selektiv të emigrantëve bazuar në dekretin e Piantedosi të datës 5 nëntor. “Dekreti bëri një përzgjedhje të paligjshme dhe diskriminuese midis të mbijetuarve, duke autorizuar zbarkimin në porte vetëm të atyre që janë më ‘të cenueshëm’, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare”- përfundon deklarata.

Piantedosi ka deklaruar së fundmi se anijet mund të konsiderohen si “vende të sigurta të përkohshme” dhe se, duke transportuar “emigrantë të paligjshëm”, ato veprojnë në kundërshtim të hapur me ligjet kombëtare të imigracionit, dhe kalimi i tyre në ujërat italiane duhet të konsiderohet si një “kalim jo i padëmshëm”, në kundërshtim me nenin 19 të konventës së UCLOS.

“Gjykata e Kasacionit dhe gjykatat italiane, kanë pohuar në disa raste se kapitenët e anijeve duhet t’i drejtohen shtetit italian dhe jo qeverive të shteteve të flamurit të tyre”- sqaron eksperti i së drejtës detare Fulvio Vassallo Paleologo, duke cituar për shembull vendimin e Gjykatës së Kasacionit të vitit 2020 në rastin e komandantes Carola Rackete, e cila në vitin 2019 nuk respektoi bllokadën e vendosur nga autoritetet italiane, dhe e ankoroi në portin e Lampedusës për të zbarkuar emigrantët që kishte shpëtuar me anijen e saj “SeaWatch”.

Sipas tij anijet mund të jenë “vende të sigurta të përkohshme, por ligjet ndërkombëtare imponojnë zbritjen sa më shpejt të jetë e mundur në tokë të gjithë emigrantëve të shpëtuar në det”. Po ashtu anijet i informojnë shtetet me flamurin që mbajnë. Por i gjithë legjislacioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar parashikon se “detyrimi për të siguruar një port të sigurt zbarkimi, i takon shtetit që koordinoi shpëtimin, i cili shpesh nuk është shteti i flamurit në fjalë”.

Për të shpëtuar jetët e njerëzve “është e qartë se përpjekjet e ndihmës së shpëtimit kryhen shpesh dhe koordinohen nga shtetet më të afërta”. “Dhe Libia dhe Tunizia nuk mund të konsiderohen porte të sigurta, pasi nuk e njohin Konventën e Gjenevës për refugjatët”- thekson Vassallo Paleologo.

Edhe pse Italia po i kërkon Brukselit që të ushtrojë presion ndaj IMO-së për të ndryshuar udhëzimet në rastin e anijeve humanitare “nuk ka gjasa që të miratohet kjo linjë” thotë Paleologo. Kjo do të ishte një sjellje diskriminuese. “Gjëja më e keqe që po ndodh është se qeveria italiane po i keqinterpreton faktet dhe rregullat”- përfundon juristi.

/albeu.com


Shtuar 24.11.2022 09:47