Është në burg pasi theri me thikë një të mitur, 21 vjeçari kënaqet me foto në Instagram

21-vjeçari nga Istogu, Vezir Haziraj është i njohur mjaft mirë për drejtësinë vendore. Momentalisht mbi të rëndojnë pesë akuza, njëra ndër to vrasje e rëndë e mbetur në tentativë, kur ky i fundit kishte tentuar ta vrasë duke e therur 14 herë me thikë një vajzë të mitur. E derisa po qëndron në qelinë e tij, ai po argëtohet duke postuar fotografi në rrjetet sociale.

Për më shumë se një javë vitin e kaluar, 17-vjeçarja Majlinda Mujaj nga Jabllanica e Vogël e Pejës kishte mbetur në gjendje kome.

Derisa kjo e fundit kishte shkuar që t’i merrte pikët e testit të maturës, u takua me 21-vjeçarin, Vezir Haziraj që do ta kërcënonte me thikë e do ta therte 14 herë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Vajza u dërgua urgjentisht në QKUK, e Haziraj qëndroi për një kohë të gjatë në arrati duke u fshehur maleve.

Por, vepra që kreu qershorin e vitit të kaluar nuk qe e vetmja për të cilën policia po e kërkonte 21-vjeçarin.

Paraprakisht, ai dyshohet se kishte marrë pjesë në një numër të madh të vjedhjeve e madje ishte arratisur edhe nga burgu. Policia e njihte mirë atë edhe si përdorues të substancave të ndryshme narkotike, ndërkaq të lajmëruara ka hiq më pak se 73 lëndë.

Haziraj u arrestua pas një kohe kërkim nga Policia e Kosovës më 7 korrik të vitit të kaluar ndërkaq, më 6 janar të këtij viti atij iu caktua masa e paraburgimit.

Edhe pse në qeli i dyshuari për disa vepra si duket nuk i ka punët aq keq. Kjo pasi që nga aty ai përdor rregullisht rrjetet sociale e provokon me fotografi e publikime të ndryshme.

Më së shumti ai zgjedh Instagramin, derisa aty ka qenë aktiv prej kur u arrestua për herë të parë në korrik. Atëherë publikoi një fotografi me duar të lidhura në pranga e pastaj edhe një foto të një të arrestuari.

Këto publikime që ndodhën vitin e kaluar nuk i mjaftuan 21-vjeçarit. Këtë vit Haziraj publikoi tri fotografi ku shihet një qeli e burgut, si dhe një fotografi e tij, ku shkruhet:

“Dije se fitorja arrihet me burgim kurse suksesi me mundim dhe pas vështirësive vjen lehtësimi”, ka shkruar ai në “Instagram”.

Njëjtë ka zgjedhur të jetë aktiv edhe përmes Facebook’ut, derisa në vazhdimësi ka publikuar fotografi të tij.

Pak pasi që kishte therur me thikë vajzën, derisa ishte në arrati ai kishte publikuar edhe një fotografi ku shihej i ulur mbi veturë të policisë duke ngritur gishtin e mesit.

Në një përgjigje, prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se aktakuza për veprën penale “Vrasje në Tentativë” është ngritur në 27 korrik të vitit të kaluar.

“Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, me datën 27 korrik të vitit 2018, ndaj të pandehurit V.H., ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Vrasje në tentativë“, nga neni 178, paragrafi 28, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kurse, ndaj këtij të pandehuri, Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur edhe 5 (pesë_) aktakuza për vepra të ndryshme penale”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Në anën tjetër, në Gjykata Themelore në Gjakovë janë deklaruar për Express se në 6 janar të këtij viti për të pandehurin është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa procedura penale po zhvillohet në departamentin për krime të rënda.

“Ndaj të pandehurit Vezir Haziraj është caktuar masa e paraburgimit dhe është duke u zhvilluar procedura penale pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigje.
Shtuar më 18/04/2019, ora 17:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori