Erzen Vraniqi për Richard Grenellin: Po keqpërdoret për luftë të brendshme
Erzen Vraniqi, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deklarimet e përfaqësuesit special për dialogun, Richard Grenell, ngjajnë më të ashpra në rrjetin social Twitter sesa në bisedat telefonike mes tij dhe kryeministrit Kurti. Sipas Vraniqit, komunikimet e Ambasadorit Grenell përmes rrjetit social Twitter janë duke u keqpërdorur për interesa të brendshme politike.

“Mund ta kem gabim, por përshtypja ime është se tweet-at e Ambasadorit Grenell ngjajnë më të ashpër sesa takimet e bisedat me të. Kryeministri Albin Kurti ka shprehur qëndrimin e tij të qartë e të saktë për heqjen graduale të tarifës 100%, dhe vendosjen graduale të reciprocitetit. Ambasadorit Grenell kjo nuk i ka pëlqyer duke e quajtur gjysëm-masë. Por kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën më të mirë e më të dobishme për Kosovën me propozimin e tij”, ka deklaruar Vraniqi shkruan ekspress.

Sipas tij, komunikimet e Ambasadorit Grenell përmes rrjetit social Twitter janë duke u keqpërdorur për interesa të brendshme politike.

“Në anën tjetër, këtu më shumë po keqpërdoret Ambasadori Grenell për luftën e brendshme politike në Kosovë nga ata që i humbën zgjedhjet dhe tash u janë cenuar interesat nga vendimet e Qeverisë, sidomos nga shkarkimet e bordeve të korruptuara të disa ndërmarrjeve publike”, është shprehur Vraniqi.

E i dërguari Special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë të martën se ia ka bërë të qartë kryeministrit Kurti se ShBA-ja nuk do të investojë financiarisht në Kosovë “nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet”.

“Kjo nuk është e vërtetë. Ne i kemi bërë të qartë Kurtit se vendimi i tij për të mbajtur tarifat edhe pjesshëm janë duke dëmtuar ekonominë e Ksoovës – dhe SHBA-ja nuk do të çojë dëm ndihmat tona nëse lidershipi i Kosovës vazhdon të dëmtojë popullin e vet në këtë mënyrë”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Shtuar më 06/03/2020, ora 09:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori