Erdogan takon Krasniqin
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Duke falënderuar kryekuvendarin për mikpritjen, Kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, foli për rëndësinë dhe nxitjen që do t’ i japë Aeroporti i Prishtinës lëvizjes së qytetarëve, por edhe zhvillimeve të tjera ndërmjet dy vendeve.

”Këshillojmë investitorët turq që të investojnë në Kosovë në të gjithë lëmitë. Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më. Në e ndjejmë për detyrë që të kemi marrëdhënie sa më të mira me Kosovën”, theksoi Erdogan.

Ai foli edhe për rëndësinë që i jep Turqia thellimit të bashkëpunimit ndër-parlamentar me të gjitha shtetet e Ballkanit, ndërsa një vështrim të gjerë i bëri edhe angazhimit që bën Turqia, që Kosovën ta njohin sa më shumë shtete, si nga bashkësia e shteteve islamike, ashtu edhe nga shtetet tjera.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, vlerësoi lart marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Parlamentit të Madh të Turqisë dhe Kuvendit të Kosovës. Këtë e tregon edhe fakti i shumë vizitave reciproke të parlamentarëve turq dhe atyre nga Kosova. Në këtë funksion është edhe kjo vizitë.

Kryetari Krasniqi vlerësoi edhe të arriturat e mëdha që po arrin Turqia në zhvillimin ekonomik të saj. Turqia vazhdon të jetë prezente në shumë fusha në Kosovë, si: në biznes, arsim,shëndetësi etj. Bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë po forcohen në të gjithë lëmitë.
Shtuar më 23/10/2013, ora 21:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori