Erdogan nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Pëlqej
Kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdoan i është dorëzuar titulli “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Prishtinës. Ky titull nderi Erdoganit i është dhënë për meritat e tij të veçanta për çlirimin e pavarësinë e Kosovës, si dhe tani për angazhimet e tij lobuese për rritjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Në një ceremoni të zhvilluar në universitet, rektori Mujë Rugova ia ka dorëzuar Erdoanit këtë mirënjohje, ndërsa e ka quajtur atë njeri të paqes që për shumë vite kontribuoj për lirinë e Kosovës dhe mandej edhe për njohjen e pavarësisë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Ai ka folur edhe për historikun e Universitetit të Prishtinës, i cili institucion sipas tij pati rol të rëndësishëm edhe për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Për personalitetin e kryeministrit turk ka folur edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, i cili e ka quajtur ditë të veçantë për Kosovën që ka mundësi të nderojë një mik të madh të Kosovës.
“Kjo është ditë e veçantë për Universitetin e Prishtinës dhe arsimin dhe çdo familje të Kosovës, sepse një mik i joni po viziton vendin tonë. Erdogan është një lider që ka kontribuar për një të ardhme më të mirë për vendin tij, popujve për rreth dhe ata më të largët”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkaq laureati i titullit “Doctor Honoris Causa”, kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan nuk ka fshehur entuziazmin e tij për mirënjohjen që ka marrë, ndërsa Kosovën e ka konsideruar si një vend vëlla i Turqisë.

“Zemra e turqve ka rrahur gjithmonë me vëllezërit nga Kosova, sikurse gjatë luftës edhe pas saj dhe kur është shpallur pavarësia e Kosovës pa vonesë kemi marrë vendim për të njohur pavarësinë e Kosovës. Jemi angazhuar për rritjen e njohjeve të Kosovës dhe këtë angazhim do të vazhdojmë edhe më tutje”, ka thënë ai.

Në këtë rast, Erdoan bëri thirrje që në Ballkan t’u jepet fund konflikteve dhe të kthehet jeta normale dhe aktivitetet për zhvillim ekonomik.
Shtuar më 04/11/2010, ora 15:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori