Energjia, kërkohet ndërprerja e lidhjeve ilegale nga Serbia
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, i cili po qëndron në Bruksel, në kuadër të dialogut teknik me Republikën e Serbisë, ka zhvilluar një takim të veçantë me përfaqësuesit e BE-së Pier Mirel dhe Nicholas Cendrowitz lidhur me çështjet e telekomit dhe energjisë.


Në këto takime, zëvendëskryeministrja Tahiri, kërkoi rritjen e angazhimeve nga ana e Bashkimit Evropian për arritjen e marrëveshjeve në fushën e energjisë dhe telekomit për të cilat po bisedohet gati për dy vjet.


Tahiri theksoi se çështja e energjisë në të gjitha shtetet duhet të ketë për bazë Traktatin e Komunitetit të Athinës për Energji, nënshkruese e të cilës është Kosova, përkatësisht KOSTT-i si operator i vetëm publik për çështjet e transmisionit, andaj bashkëpunimi mes shteteve duhet të bëhet mbi këtë Traktat.

“Kosova me përkushtim shtetëror bën zbatimin e Traktatit të Athinës për Energji mirëpo nga ana e Serbisë ka shkelje të këtij traktati, të cilat shkelje janë konstatuar zyrtarisht nga Sekretariati i Komunitetit të Athinës. Nga Serbia është kërkuar që t’i ndërpres ndërhyrjet ilegale në sistemin e transmisionit energjetik të Kosovës dhe të bëjë kompensimet për dëmet e shkaktuara deri më tani” ka thënë Tahiri.

Po ashtu, ajo shtroi nevojën e normalizimit të pagesave nga ana e konsumatorëve të energjisë në veçanti në pjesën veriore të vendit, të cilët iu kanë shmangur obligimeve ndaj KEK-ut për një kohë të gjatë. /albeu.com/
Shtuar më 06/02/2013, ora 16:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori