Ende s’ka të dyshuar për vrasjen e 16-vjeçarit në Prishtinë
Sot rreth orës 11:00, Policia ka gjetur trupin e pajetë të një 16-vjeçari në rrugën “Gjon Sereqi” në Prishtinë.

Aulon Zeka, 16 vjeçar është viktima e cila në bazë të informacioneve të Policisë është vrarë me armë zjarri, derisa rasti po trajtohet si “Vrasje e rëndë”.

Jozyrtarisht gjatë ditës është raportuar se tashmë i ndjeri ishte qëlluar me katër plumba në trup.

Përkundër se trupi u gjet në pikë të ditës në Prishtinë, ende nuk ka ndonjë pistë hetimi për të dyshuar, apo diçka që tregon për shkaqet e incidentit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për lajmi.net se njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Aktualisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje, si dhe me identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka thënë Borovci, shkruan lajmi.net.

Gjatë ditës, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. /albeu.com/

Shtuar më 16/09/2017, ora 19:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori