Ende s'ka marrëveshje, fëmijët ngelin pa mësim
Ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe mësimdhënësve për ndërprerjen e grevës në arsim. Greva e mësimdhënësve në të gjitha nivelet arsimore ka hyrë të ditën katërt.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka plotësim të kërkesave të mësimdhënësve dhe se greva po vazhdon në të gjitha nivelet arsimore.

Sipas tij, greva në arsim do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave për ngritjen e koeficientit në Ligjin e pagave.

“Deri më tani nuk e kemi asnjë ofertë konkrete as nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe as nga Qeveria e Kosovës. Kanë thënë se do të bëjnë angazhime për të ndryshuar koeficientin, por nuk kanë dhënë asnjë shifër. Qëndrimi jonë është që minimumi i koeficientit të pagës të rritet në 30 për qind për të gjithë të punësuarit në të gjitha nivelet arsimore”, tha Jasharaj.

Projektligji për pagat aktualisht është duke u shqyrtuar në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në Kuvendin e Kosovës dhe me procedurë të shpejtë pritet të kalojë për miratim në njëren nga seancat e para të Kuvendit.

Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, rreth 370 mijë është numri i nxënësve në institucionet e arsimit para-universitar, kurse 110 mijë është numri i përgjithshëm i studentëve. Ndërkaq numri i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë rreth 23 mijë.
Shtuar më 17/01/2019, ora 15:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori