Ende nuk dihet nëse Gjykata Kushtetuese do të pavarësohet nga ndërkombëtarët
Pëlqej
Ka një vit prej kur amerikani Robert Carolan ka braktisur Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Kjo pozitë ka mbetur boshe, prej atëherë.

Dy kolegëve të tij, bullgares Snezhana Botusharova-Doicheva dhe portugezit Almiro Rodrigues, iu përfundon mandati në qershorin e vitit të ardhshëm.

Dhe nuk dihet nëse do ta vazhdojnë qëndrimin në gjykatën ku kanë shërbyer prej gati nëntë vjetësh, do të zëvendësohen me vendës siç kërkon Kushtetua, apo do të ketë ndryshime kushtetuese për të bërë të mundur zëvendësimin nga të tjerë ndërkombëtarë.

Kjo për shkak të paqartësisë nëse gjykata më e lartë në vend do të pavarësohet plotësisht nga ndërkombëtarët nga 2018-a, ose jo, shkruan sot Koha Ditore.

Dy herë radhazi deri tash, anëtarëve ndërkombëtarë të Kushtetueses iu ishte vazhduar mandati në kundërshtim me procedurën që parasheh Kushtetuta, dhe pa u vënë emrat e tyre për votim në Kuvend. Emërimi ishte bërë nga përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, e nëpërmjet një dekreti, konfirmimi ishte bërë nga presidenti i Shtetit.

Në EULEX, mision ky i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, nuk kanë treguar nëse do të insistohet që të ruhet prezenca ndërkombëtare përtej qershorit të vitit të ardhshëm.
Shtuar më 03/10/2017, ora 08:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori