Eliminohen barrierat për eksport më Maqedoninë
Me iniciativën e kryetarit të OEK-ut Safet Gërxhaliu u organizua një takim me Drejtorin e Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës Valdet Gjinovci dhe Drejtorit të Doganave të Kosovës Naim Huruglica ku u bisedua për aktivitetet e ndërmarrura nga këta partnerë lidhur me eliminimin e barrierave jo-tarifore të ditëve të fundit të vëna nga Maqedonia karshi eksporteve kosovare.

Gërxhaliu theksoi se një situatë e tillë nuk i shkon në favor raporteve të mira ndërmjet dy vendeve mike siç janë Kosova dhe Maqedonia dhe në veçanti në momentin kur tensionet ndëretnike dhe politike në Maqedoni janë të acaruara.

“Jemi për një ekonomi të hapur dhe për një partneritet konstruktiv ekonomik dhe duhet të bëhet çmos që barrierat të eliminohen qoftë në implementimin e marrëveshjeve bilaterale apo atyre multilaterale. Një gjest i tillë i palës maqedonase është shqetësues nga vetë faktiMaqedonia eksportet më të mëdha i realizon në Kosovë dhe importet nga Kosova janë jo aq të mëdha."

"Jemi për respektim të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare të kërkuara, por gjithnjë përmes një dialogimi, forcimi të partneritetit dhe për çdo vendim të informohemi në mënyrë paraprake e jo ato të jenë vendime ad-hoc. Është koha kur duhet dëshmuar se jemi shtet dhe nëse vije deri te një reciprocitet, humbëse do të jetë Maqedonia nga vetë fakti që tregu kosovar është destinacioni kryesor” pohoi Gërxhaliu.

Kreu i OEK-ut në veçanti falënderoi Valdet Gjinovcin dhe Naim Huruglica për një angazhim profesional dhe argumentues që kjo barrierë të eliminohet dhe me gëzon fakti që është arritur një ujdi në mes te dyja palëve që produktet kosovare mund të eksportohen në Maqedoni.

Gjinovci theksoi se është arritur një ujdi me zyrtarët e autoritetit kompetent nga Republika e Maqedonisë sa i përket certifikatës së kualitetit.

Për më tepër Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë që nga dhjetori i vitit të kaluar ka bërë lehtësira për të gjithë importuesit, ku nuk ka nevojë të aplikojë për leje të importit, për produkte me origjinë bimore (fitosanitare).

Ai po ashtu theksoi se ai dhe institucioni që ai e drejton janë duke punuar edhe në eliminimin e lejeve të importit për produktet me origjinë shtazore dhe se për produktet nga Maqedonia asnjëherë nuk kanë shkaktuar probleme. Ai shtoi se e njëjta duhej të vlente edhe për palën maqedonase.

Naim Huruglica, theksoi se Dogana e Kosovës vazhdon të punoj në lehtësimet në tregti dhe pjesë e kësaj ka qenë edhe reduktimi i numrit të dokumenteve të nevojshme në import dhe eksport.

Aplikimi i licencave apo certifikatave të ndryshme pa një mirëbesim të ndërsjellë në mes të vendeve, sjellë tek pengimi i tregtisë së lire dhe zhvillimit ekonomik të regjionit.

“Na gëzon fakti se më në fund është gjetur një kompromis dhe certifikata e kualitetit do të jetë e lëshuar në Agjensionini Veterinar në pajtueshmëri me standardet evropiane dhe tani e tutje maunat më produkte kosovarë veç kanë filluar të depërtojnë në tregun maqedonas dhe disa prej tyre janë nisur për në Gjermani” shtoi Gërxhaliu.
Shtuar më 20/03/2012, ora 19:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori