Ekzekutivi shkel Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë
Qeveria e Kosovës ka dështuar ta përcjellë me kohë në Kuvend, pakon e ligjeve të nevojshme për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit.
Kështu, ekzekutivi ka shkelur Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e cila është miratuar më 31 janar nga shumica legjislative.

Me këtë dokument, të kundërshtuar vetëm nga lëvizja “Vetëvendosje”, Qeveria ka qenë e ftuar që në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe me Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, t’i përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe ato t’ia paraqiste Kuvendit jo më vonë së katër javë nga data e miratimit të Rezolutës.

Një nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit ka konfirmuar se deri të premten pasdite në Kuvend, nuk ka mbërritur një “pako” e tillë nga Qeveria.

“Koha Ditore” ka insistuar të merrte një përgjigje nga Qeveria për këtë çështje, por zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk ka shprehur gatishmëri për t’iu përgjigjur interesimit të gazetës.

Ndërkohë, anëtarja e LDK-së në Komisionin për ndryshimin e Kushtetutës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kuvendi duhet të reagojë javën e ardhshme dhe të kërkojë nga Qeveria t’i përmbushë detyrimet e saj.
Shtuar më 04/03/2012, ora 11:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori