Maqedonia i vjen në ndihmë Ukrainës, i dhuron tanke të epokës sovjetike

Maqedonia e Veriut planifikon t’i dhurojë Ukrainës një numër të papërcaktuar tankesh të epokës sovjetike, pasi ajo kërkon të modernizojë ushtrinë e saj për të përmbushur standardet e NATO-s, tha të premten ministria e saj e mbrojtjes.

Në një deklaratë, ministria tha se Ukraina do të marrë tanke që i përkasin batalionit të tankeve të vendit të Ballkanit Perëndimor, i cili është në proces përmirësimi, raporton Reuters.

“Duke marrë parasysh këtë situatë dhe kërkesat e ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, qeveria ka vendosur që një sasi e caktuar e këtyre kapaciteteve do t’i dhurohet Ukrainës, në përputhje me nevojat e saj”, thuhet në deklaratë.

Ministria nuk e specifikoi numrin e tankeve, por tha se ato i përkisnin të ashtuquajturit gjeneratën e tretë të tankeve kryesore të betejës nga vitet 1970 dhe 1980, të cilët kanë armaturë të përbërë dhe sisteme kontrolli të qitjes të stabilizuara me kompjuter.

Maqedonia e Veriut, një ish-republikë jugosllave, është anëtare e NATO-s dhe kandidate për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Ajo, si vendet e tjera perëndimore, ka dhuruar tashmë pajisje ushtarake për Ukrainën që nga pushtimi rus në shkurt.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha vetëm në fillim të korrikut se forcat ukrainase më në fund po shihnin ndikimin e armëve perëndimore në vijat e para të luftës. /abcnews.al