EKSKLUZIVE/ AKR bëri "kurban" Skënderbeun për të mbuluar pazaret mbi qeverisjen në Kosovë
Duket një skenar i pabesueshëm, por fushata mediatike mbi mbulimin ose jo të bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut gjatë faljes së Kurban Bajramit në Tiranë është orkestruar direkt nga Kosova në shërbim të pazareve për ngritjen e qeverisë së re atje.

Albeu.com mëson nga burime të sigurta se fushata mbi bustin e Skënderbeut është orkestruar nga partia Aleanca Kosova e Re (AKR) e Behgjet Pacollit përmes kanaleve mediatike në Tiranë.

Përse i duhej AKR-së kjo amulli mediatike mbi një çështje madhore siç është "dhunimi" i bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve?

Sepse AKR ishte duke përgatitur prej ditësh për t'u larguar nga koalicioni LAA (gjë e cila ndodhi sot), por nuk donte të merrte kostot politike të kësaj "tradhtie" ndaj LDK-së, kështu që duhej të ndodhte një ngjarje më e madhe në mënyrë që të mbulohej ajo që do të ndodhte.

Albeu.com mëson gjithashtu se takimi i ndarjes mes Behgjet Pacollit dje Isa Mustafës ishte parashikuar të ndodhte një ditën e Bajramit ose një ditë më pas, por ka qenë refuzimi i koalicionit PAN ndaj kushteve të Pacollit për të dhëna shenja afrimiteti ndaj AKR-së që e shtynë takimin për ditën e sotme.

Tashmë, Behgjet Pacolli deklaroi se do të largohet nga LAA, ndërkohë që është më se i dukshëm fakti se do të kalojë nga PAN për të siguruar kështu bërjen e qeverisë përmes koncensioneve të mëdha të marra prej Haradinajt dhe Veselit.

Në fund fare, ajo që mbeti është një përçarje e madhe që u mboll mes shqiptarëve dhe cënim i themeleve të harmonisë ndërfetare, për të cilën krenohemi në botë. /albeu.com/

Shtuar më 04/09/2017, ora 20:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori