Edita Tahiri sulmon Edi Ramën: Mini Shengeni sjell Serbinë e Madhe
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri iu është bashkuar zërave kundër idesë së Mini Shengenit Ballkanik, pas takimit të tretë që u zhvillua gjatë kësaj jave në Tiranë dhe ku morën pjesë presidentët Vuçiç e Gjukanoviç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Edita Tahiri sulmon me anë të një postimi në rrjetet sociale dhe kryeministrin Edi Rama, si mikpritës i radhës i kësaj nisme rajonale duke thënë se ajo krijon bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe.

“Se ideja e ‘mini-Shëngenit’ krijon bërthamën ekonomike për Serbinë e Madhe këtë gjithë shqiptarët po e shohin, përveç Edi Ramës. E lumtur me reagimet e mençura dhe strategjike të shqiptarëve për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të penguar neo-hegjemoninë serbe në Ballkan”, shkruan Tahiri.

Ideja e mini-Shengenit ka sjellë përplasje, që në fillimin e prezantimit të saj, mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për praninë e të gjithave vendeve të rajonit në këtë nismë, por ka hasur në kundërshtinë e disa vendeve, përfshirë dhe Kosovën.
Shtuar më 22/12/2019, ora 19:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori