Edhe një shqiptar nga Kosova humb jetën në Siri (VIDEO)
Pëlqej
Melos Kosumi nga Gjilani ka humbur jetën gjatë luftimeve në Siri. Familja ka hapur dyert për ngushëllime, ndërsa besonte se djalin e kishte në Turqi, njofton KTV.

Selami Kosumi nga Gjilani para dy ditësh është njoftuar se djali i tij i vetëm, Melosi, 17 -vjeçar, është vrarë në Siri.

Shpesh i tradhtuar nga emocionet, Selamiu mundohet të rrëfejë se si para një viti Melosi kishte vazhduar shkollimin e mesëm në Turqi dhe shpesh nga mërzia ai ishte kthyer për vizitë në Kosovë.

Edhe kohën e fundit ai thotë se kanë folur vazhdimisht në telefon, mirëpo gjithmonë duke menduar se djali gjendet në Turqi. Një telefonatë e para dy ditëve nga Siria, e një personi që Selamiu thotë të mos e ketë ditur kush ishte, ia ka kumtuar lajmin për vdekjen e Melosit.

Ai thotë se Melosi ishte djalë i sjellshëm dhe i suksesshëm në shkollë dhe nuk e përjashton mundësinë që dikush ka ndikuar në djalin e tij që ai t’i bashkohet luftës në Siri.

Por, megjithatë lutet që ky të jetë i fundit kosovar që vritet në luftën e Sirisë.

Derisa vazhdimisht është bërë thirrje nga të gjitha instancat shtetërore e fetare që të mos i bashkohen këtyre luftërave, deri më tash janë dhjetëra të rinj shqiptarë që janë vrarë në Siri dhe Irak.
Shtuar më 30/09/2014, ora 20:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori