Ukraina rrezikon shumë, Perëndimi duhet të nxitojë

Nga Timothy Garton Ash “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjeneralin Valeriy Zaluzhny, trupmadh, i fortë, me faqet e kuqe si molla, e takon në zyrën e tij në Kiev nga ku ai komandon të gjitha forcat e armatosura të Ukrainës. E pyes se për çfarë kanë nevojë nga Perëndimi. Më së pari për mbrojtjen ajrore. Ai hap zinxhirin e uniformës së tij ushtarake ngjyrë kaki duke me treguar një bluzë të bukur që shkruan “F-16!”.

Më pas në listën e tij të kërkesave janë raketat me rreze të gjatë veprimi, si amerikane ATACMS dhe franko-britaniket Storm Shadoë, në mënyrë që ukrainasit të kenë mundësi të godasin objektivat ruse përtej rrezes së armëve që kanë aktualisht në dispozicion. Tani që është mbyllur viti i parë i pushtimit në shkallë të plotë të Vladimir Putinit, forcave ukrainase po u mbarojnë municionet e nevojshme për armatimin e tyre kryesisht post-sovjetik, ndërsa Rusia përdori si mish për top mijëra nga trupat e saj kundër qyteteve si Bakhmut.

Ukrainasit nuk kanë ende asnjë sasi të mjaftueshme nga kompleti i standardeve të NATO-s për të zëvendësuar pajisjet më të vjetra: topat kalibër 152 mm me armët post-sovjetike, topat 155 mm të NATO-s. E ardhmja e Evropës mund të varet pikërisht nga kjo diferencë prej 3 milimetrash.

Një problem i ngjashëm është edhe me tanket. Megjithëse disa tanke Leopard të prodhimit gjerman dhe ato britanik “Challenger” kanë mbërritur në front, shumica e tankeve të Ukrainës janë ende modele post-sovjetike. Pa municione, më thotë Zaluzhny, ato janë “jo tanke, por traktorë”.

Duke folur për shumë detaje të luftës me komandantin e përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, e kupton fare qartë se kërkesat për më shumë armatime nga ana e presidentit Volodymyr Zelensky gjatë vizitave të tij në Londër, Paris dhe Bruksel, pasqyrojnë nevojën emergjente ushtarake.

Dhe një javë e kaluar brenda dhe përreth Kievit, e pasuar nga disa ditë pjesëmarrje në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, e bën shumë të qartë se 6 muajt e ardhshëm mund të jenë vendimtare për fatin e Ukrainës. Unë mbërrita në Kiev duke udhëtuar gjatë gjithë natës me një tren të vjetër nga Polonia.

Sapo mbërrita u dha alarmi për sulmet ajrore ruse dhe u detyrova me shumë të tjerë të kaloja disa orë në një vendstrehim nëntokësor. Por përveç këtyre episodeve, ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike, thasëve me rërë, ushtarëve të kudogjendur dhe grave dhe fëmijëve që mungojnë, jeta në Kiev duket nga jashtë si tejet normale.

Të gjithë ukrainasit janë të mobilizuar për fitore. Asistentja ime, një studente ukrainase, më tregon aplikacionin “Army of Drones”, ku çdokush mund të raportojë gjithashtu vendndodhjen e trupave ruse. Kreu i hekurudhave të Ukrainës më tregon se si ka garantuar lëvizjen e trenave, duke evakuuar 4 milionë njerëz dhe garantuar furnizimin me naftë për të gjithë vendin.

Gazetarët, shkrimtarët dhe artistët po dokumentojnë karakterin gjenocidal të pushtimit rus. “Kjo do të jetë lufta më e dokumentuar në histori”- më thonë ata. Në Bucha, Irpin, Hostomel dhe Borodyanka – emra të njohur tashmë për ne si dikur Srebrenica dhe Vukovar – ekzistojnë ende skenat e tmerrshme të shkatërrimeve, dëshmi të dorës së parë dhe foto të mizorive që të bëjnë të ndihesh shumë keq.

Ndërkohë zyrat qeveritare dhe institutet e mendimit, si dhe njerëzit e thjeshtë përgatiten me ritëm të lartë për fazën e rindërtimit, reformave dhe anëtarësimin si në BE po ashtu edhe në NATO. “Karta jonë fituese është shpejtësia jonë”- shprehet Olha Stefanishyna, zv/kryeministre për integrimin euro-atlantik.

Në librarinë Syayvo (Ndriçimi) në qendër të Kievit, stafi mbledh të gjitha librat në gjuhën ruse, të cilat çohen në shtypshkronjë për t’u ricikluar, dhe të ardhurat shkojnë për ushtrinë ukrainase.

Punonjësja e librarisë, Lydia, më thotë se tashmë kanë ricikluar më shumë se 111.000 libra dhe me të ardhurat e fituara kanë blerë një automjet të blinduar ushtarak, të cilin ushtarët mirënjohës për këtë gjest e quajnë Syayvomobile. Në bodrumin e librarisë ajo më tregon një grumbull librash të paketuara bukur, përfshirë “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit dhe një botim rus të Franc Kafkës, që pritet të riciklohen.

Një burrë endet me disa pako librash në duar: “A mund të marrësh 55 vëllime të veprave të Leninit?” Sigurisht përgjigjet ajo. Kur të përfundojë kjo luftë e përgjakshme, Lydia dhe kolegët e saj do të donin ta bënin më moderne librarinë e tyre “të ngjashme me ato evropiane”. Megjithatë, kjo luftë ka shkaktuar një lodhje ekstreme dhe një kosto njerëzore me një rritje të pamëshirshme.

“Në një farë mënyre ne po humbasim, sepse njerëzit tanë po vdesin”- më thotë një aktivist kundër korrupsionit. Në atë moment m’u kujtua Yevhen Hulevych, redaktor dhe kritik letrar i kthyer në ushtar të vijës së parë, të cilin e takova në Lviv kur po shërohej nga plagët e marra në betejë. Ai u vra në aksion disa javë më vonë afër Bakhmut.

Në çdo luftë pyetja thelbësore është “Në anën e kujt është koha?”. Për shembull nga viti 1942 e në vazhdim koha ishte qartazi në anën e aleatëve anti-Hitler. Por në këtë luftë, koha mund të jetë në anën e Vladimir Putinit. Madje ekziston një dyshim i fortë se kështu mendon edhe vetë Putin. Nëse Kina do t’i dërgonte armë, kjo lëvizje do të forconte më tej pozitat e tij.

Nga kjo buron edhe theksi i vazhdueshëm që i japin ukrainasit shpejtësisë së ndihmave nga Perëndimi. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Olaf Scholz vlerësoi kujdesin e tij duke thënë “Sorgfalt vor Schnellschuss” (Kujdes dhe jo veprime të tepruar). Një moto e shkëlqyer për kohë paqeje, por në luftë, ngadalësia funksionon për Putinin.

Prandaj ne në Perëndim duhet të fillojmë të veprojmë në përputhje me shpejtësinë që kërkon situata në Ukrainë. Duhet të dërgojë sa më shpejt municione dhe armë në zonat ku ka më shumë nevojë gjenerali Zaluzhny, dhe të shtojmë mbështetjen financiare për të mbështetur sistemin e lëkundur të kujdesit shëndetësor, shkollat, banesat dhe buxhetin e Ukrainës.

Stoqet ekzistuese të armëve dhe municioneve të ushtrive perëndimore janë pakësuar ndjeshëm, dhe kjo sepse ne e ulëm shumë vigjilencën tonë gjatë asaj që unë e quaj periudhën e pas rënies së Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, e cila përfundoi më 24 shkurt 2022. Por në Mynih, unë dëgjova përfaqësues të industrisë evropiane të mbrojtjes të thonë se mund ta rrisin me shpejtësi prodhimin nëse liderët politikë do të reduktojnë burokracitë dhe proteksionizmin kombëtar që e dominon ende këtë sektor.

Por po ashtu Perëndimi duhet ta ketë të qartë se si mund të përdoren këto armë. Këtu çështja  kryesore është Krimea. Për momentin, rusët, të cilët po përparojnë në Donbass, kanë iniciativën strategjike në fushën e betejës, por ukrainasit po përgatisin një kundërsulm të madh këtë pranverë, duke përdorur disa brigada të reja të pajisura me armë moderne dhe të trajnuara nga Perëndimi.

Nuk është një sekret që njëri nga opsionet do të ishte përparimi i madh në jug përmes Zaporizhzias deri në bregun e Detit Azov. Nëse do të jetë i suksesshëm, ky kundërsulm mund t’i çojë deri në brigjet e Krimesë. Gati çdo ukrainas që kam takuar më ka thënë se Krimeja duhet rimarrë. Argumentet e tyre janë morale (Shumë kanë vdekur që kjo gjë të mos ndodhte, më tha Yevhen në Lviv); ligjore (ky është territor sovran ukrainas); politike (sondazhet sugjerojnë se opinioni publik ukrainas nuk do të falte asnjë politikan ukrainas që do të hiqte dorë nga Krimea); kulturore (Të heqësh dorë nga Krimea do të thotë të heqësh dorë nga tatarët e Krimesë, më tha Tamila Tasheva, drejtuese e një zyre për çështjet e Krimesë që Presidenti Zelensky e ka vendosur në zemër të lagjes qeveritare të Kievit), por edhe strategjike, afatgjata dhe afatshkurtra.

Në terma afatgjatë, ata thonë se Ukraina nuk mund të gëzojë kurrë siguri me forcat ruse të vendosura në Krime. Ndërsa në ato afatshkurtër, ukrainasit argumentojnë se Krimea është e vetmja gjë për të cilën interesohet shumica e rusëve, madje shumë më tepër se Donbasi. Prandaj vetëm duke i kërcënuar se do të sulmojnë gadishullin, teksa përdorin raketa me rreze të gjatë për të rrëzuar Urën e Kerçit, mund ta detyrojnë Moskën të hyjë në bisedime serioze.

Frika është një këshilltar i keq, thoshte dikur Papa Gjon Pali II. Dhe mesazhi për Perëndimin, jo vetëm nga ukrainasit, por edhe nga liderët baltikë dhe të Evropës Lindore që e njohin më mirë Rusinë, është “Mos kini frikë!”. Siç e dëgjuam sërish javën e kaluar në fjalimin e liderit rus, Putin po përpiqet të na frikësojë. Le të mos e lejojmë që të ketë sukses. /albeu.com


Shtuar 28.02.2023 10:34