E gjithë "lufta" për të fituar politikisht!
Përplasjet e fundit në mes të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, për “fatin” e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, kanë për qëllim konsumin e brendshëm dhe si të tilla nuk do të ndalen derisa njëri nga ta të tërhiqet nga qëndrimi i tij.

Cilido që do të tërhiqet me të drejtë do të mund të cilësohet si “humbësi i vitit”, ndërkaq, nuk do të shpëtojë nga pasojat e mëdha brendapërbrenda subjektit të tij politik, shkruan “Zëri”.

Kështu vlerësojnë analistët politikë, të cilët theksojnë se nëse Mustafa do të lejojë që presidentja të mbajë mandat të plotë, ai do të “koritet” para anëtarëve të partisë së tij, ndërsa nëse Thaçi do të “lëshojë pe”, ai do të tregohej i dobët përballë rivalit të tij kryesor politik, Isa Mustafa, dhe do të dërgojnë mesazh te bashkëpartiakët e tij se është “gjunjëzuar”.

Ditë më parë kryeministri Thaçi ka thënë se zëri i Mustafës për respektimin e marrëveshjes politike, e cila solli Jahjagën në krye të vendit, është zë i shkëputur nga realiteti, ngase sipas tij, partitë politike në Kosovë duhet t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese ashtu siç i kanë respektuar në dy rastet e mëhershme të dy ish-presidentëve, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli.

Publicisti Shkëlzen Gashi thotë se PDK-ja dhe LDK-ja janë në situatë që kanë nevojë të dalin “të forta” para elektoratit të tyre, prandaj herë pas here liderët e këtyre dy partive i bëjnë ‘selame të nxehta’, njëri-tjetrit.

Ndërsa, analisti Nexhmedin Spahiu, thotë se përplasjet Thaçi-Mustafa janë rezultat i natyrshëm kur njëra palë nuk e respekton një marrëveshje të caktuar.

Nga ana tjetër, analisti Behxhet Shala thotë se përplasja për çështjen e presidentes është e paarsyeshme në kohën kur vendi po kalon procese shumë të rëndësishme.
Shtuar më 05/08/2012, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori