E gjithë elita serbe kundër Kosovës
Në Kryesinë e Serbisë ka përfunduar takimi i kreut shtetëror, kishtar dhe i Akademisë së Serbisë për pozicionimin e këtij vendi kushtuar vazhdimit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe luftës së Serbisë që Kosova të mos pranohet në UNESCO, njoftojnë medie serbe.
Nga mbledhja u është bërë ftesë vendeve të UNESCO-s që kërkesa e Kosovës (mediet serbe emrin Kosovë e fusin në thonjëza) dhe vendeve që këtë kërkesë e përkrahin ose e refuzojnë dhe nga ajo është theksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se do ta vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në BE duke e ruajtur dhe përparuar marrëdhëniet tradicionale të mira me Rusinë e Kinën, transmeton Koha.net.

Pjesëmarrësit e konferencës kanë hartuar dhe miratuar këto përfundime:

1. Të gjitha institucionet dhe organet shtetërore të Serbisë kundërshtojnë rreptësisht pranimin e Kosovës në UNESCO dhe ftojnë anëtarët e Këshillit Ekzekutiv dhe Konferencës së Përgjithshme të kësaj organizate që kërkesa e Kosovës dhe e vendeve që e përkrahin këtë kërkesë, të refuzohet. Kishat dhe manastiret serbe në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe e Serbisë dhe çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb, por edhe e trashëgimisë kulturore, evropiane e botërore në Kosovë, por edhe e popullatës serbe që jeton ende atje.

2. Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe do të luftojë për ruajtjen e qenësisë kombëtare, shpirtërore e kulturore të popullit serb në Kosovë. Njëkohësisht, të vetëdijshëm me realitetin e vështirë në terren e në veçanti për shkak të pikëpamjes tjetër e të ardhmes më të mirë si për serbët ashtu edhe për shqiptarët në Kosovë, shteti i Serbisë, KOS dhe Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Serbisë mendojnë se është e domosdoshme që të gjitha problemet të zgjidhen në mënyrë të qetë e me përpjekje shtesë për vendosjen e marrëdhënieve më të mira me shqiptarët. Përkrahja e krijimit të AKS-së si instrument i mbrojtjes kolektive të të drejtave politike, ekonomike e kulturore, etj. të popullit serb në Kosovë do të jetë njëri nga prioritetet e politikës shtetërore në periudhën e ardhshme.

3. Shteti serb do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit në BE duke ruajtur e duke përparuar marrëdhëniet e mira tradicionale me Rusinë, Kinën e vendet tjera. Po ashtu dialogu në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të duhej të vazhdonte, e Qeveria serbe dhe delegacioni i saj kanë lirinë e plotë, në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, të gjejnë zgjidhje kompromisi me të cilat serbët dhe shqiptarët do të trasojnë bashkëpunimin më të mirë dhe jetën e përbashkët në të ardhmen.

4. Në veçanti është shqyrtuar pozita e serbëve në gjithë rajonin, është përcaktuar përgjegjësia dhe përkushtimi i Serbisë për mirëqenie për serbët jashtë Serbisë dhe në veçanti është theksuar nevoja edhe më e madhe edhe më e rëndësishme e bashkëpunimit dhe e konkretizimit të lidhjeve speciale paralele të cilat Republika Srpska i ka me Serbinë si në fushën e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike e të projekteve infrastrukturore ashtu edhe në sferën e kulturës, artit e sportit.

Pos kryetarit të Serbisë Tomislav Nikoliq, kryeministrit Aleksandar Vuçiq, në mbledhje kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, zëvendëskryeministri Ivica Daçqi, ministrat Nikola Selakoviq, Nebojsha Stefanoviq dhe Bratislav Gashiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq.

Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i AShAS Vladimir Kostiq dhe dy ndihmës të tij si dhe kreu i KOS-ti, patriarku Irinej. /Albeu.com/
Shtuar më 20/10/2015, ora 22:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori