Artan Hoxha zbulon shumën me të cilën Eldi Dizdari korruptoi 20 punonjës të burgut në Dubai

Gazetari investigativ Artan Hoxha, i ftuar në Abc live të gazetares Sibora Bitri, ka rrëfyer një detaj gjatë kohës që Eldi Dizdari u arrestua në Emiratet e Bashkuara për llogari të drejtësisë italiane.

Hoxha tha se gjatë kohës që Dizdari ndodhej në burg, u pushuan nga puna 20 punonjës të institucionit, pasi u akuzuan se ata ishin korruptuar me 1 milionë dollarë.

Sipas Hoxhës, Dizdari ishte i privilegjuar pasi i shkonin në burg ushqime nga restorantet më të mira në Dubai, takohej shpesh me familjarët edhe pse ishte koha e Covid, si dhe brenda në burg arriti të fusë një telefon që kishte një program të kriptuar.

“Gjatë kohës që ai ka qenë në burg në Dubai, ka patur një ngjarje tjetër, janë arrestuar 22 punonjës të burgut ku mbahej Dizdari për shkak të akuzave për korrupsion. Ata akuzohen se e kanë ulur nivelin e sigurisë, duke lejuar që Dizdarit ti shkonin ushqime nga restorantet më të mira në Dubai, të takohej më shpesh me familjarët, së treti ai kishte mundur të fuste brenda burgut një telefon i cili punonte me një program të kriptuar, i cili përdorej gjerësisht nga bota e krimit. Ishte një program që e futi FBI Amerikane”, tha Hoxha.

Gazetari Hoxha theksoi gjithashtu se sot nuk ka më asnjë çështje ndaj Dizdarit në Itali, pasi përfaqësuesit ligjorë arritën të faktonin se klienti i tyre nuk kishte bërë asnjë aktivitet kriminal në tokën italiane.


Shtuar 8.11.2022 13:48