50-vjeçarin e pickoi merimanga e zezë në Rrogozhinë, QSUT: E kemi kundërhelmin

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar në lidhje me rastin e 50-vjeçarit në Rrogozhinë që u pickua të dielën nga merimanga e zezë.

QSUT sqaron se pacienti Hasbi.K, me diagnozë “Pickimi nga merimanga e zezë”, është paraqitur ne Shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme të dielën në orën 21:20.

Sipas sqarimit, pasi ka kryer konsultë me mjekun toksikolog, ai është shtruar në Shërbimin e Toksikologjisë dhe iu nënshtrua ekzaminimeve laboratorike dhe testeve të nevojshme, sipas protokollit.

Sa i përket kundërhelmit, QSUT thotë se farmacia e tyre e disponon antidotin antivenine lactrodectus tredecimgutates dhe “përdorimi i tij përcaktohet nga mjekët, pasi ka kritere rigoroze, për shkak të riskut shumë të lartë të reaksionit deri në shock anafilaktik.” Po ashtu, bëhet e ditur se pacienti është në gjendje të stabilizuar nën mbikqyrje mjekësore dhe vazhdon mjekimin sipas protokollit mjekësor.