E FUNDIT/ Arrestohen tre deputetë në Kosovë
Pëlqej
Policia e Kosovës ka arrestuar sot tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në bazë të një urdhërarresti që u lëshua nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Deputetët e arrestuar Albin Kurti, Donika Kadaj dhe Albulena Haxhiu u arrestuan pasi nuk morën pjesë në seancën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë arrestimit Policia e Kosovës përdori edhe gaz lotsjellës ndaj deputetëve të tjerë të Vetëvendosjes të cilët u përpoqën të ndalnin arrestimin e Kurtit.

Ishte paraparë që 4 deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend të paraqiten në Gjykatë.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi as këtë radhë, kjo për faktin se Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Donika Kadaj- Bujupi nuk erdhën fare në Gjykatë. I vetmi që iu përgjigj kësaj ftese ishte deputeti Faton Topalli.

Me mosparaqitjen e tyre në Gjykatë trupi gjykues vendosi që të lëshojë urdhërarrest për 3 deputetët.

Pasi deputetët e “Vetëvendosjes” të akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, përveç Faton Topallit, nuk u paraqitën në Gjykatë, dy deputetët e “Vetëvendosjes”, Kurti e Kadaj-Bujupi, janë kërkuar në shtëpitë e tyre, pasi trupi gjykues qysh në seancën e kaluar ka urdhëruar sjelljen e tyre me Polici në Gjykatë, pasi as atëherë nuk ishin paraqitur.

Por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre të banimit. Kështu ka bërë të ditur gjyqtari Beqir Kalludra, derisa anuloi seancën e së mërkurës deri në një afat të pacaktuar.

Kalludra urdhëroi edhe arrestimin e deputetëve të akuzuar, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe gjithashtu Albulena Haxhiu. Madje caktoi ndaj tyre edhe paraburgim.

“Për të akuzuarin Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi Gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga stacioni “Qendra” dhe “Jugu” në Prishtinë. Dhe sipas informatave nga këto stacione policore, të njëjtët nuk janë gjendur në adresat e vendbanimeve të dhëna sipas shkresave të lëndës”, ka thënë kryetari i trupit gjykues./albeu.com/

Shtuar më 24/11/2017, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori