E arrestuan papritur, reagon për herë të parë bashkëshorti i ministres
Deputeti i PSD’së që u arrestua sot thotë se asnjëherë s’ka marrë ftesë për t’iu përgjigjur autoriteteve. Ai thekson se vendimi për të u morrë të dilen në një ditë kur nuk punojnë Gjykatat dhe Prokuroria

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PSD, Dardan Molliqaj është arrestuar dhe më pastaj është liruar nga Policia e Kosovës. Molliqaj akuzohet se ka sulmuar një zyrtar policor gjatë protestës së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosjë kundër arrestimit të Albin Kurtit në vitin 2015.

Molliqaj është deklaruar se ka pasur shkelje të procedurave ligjore gjatë arrestimit të tij nga ana e Policisë. Sipas tij vendimi për arrestimin e tij është marrë të dielën më 12 maj.

“Sot rreth orës 8, të mëngjesit, Policia e Kosovës më arrestoi në banesën në të cilën banoj me qira. Bëhet fjalë për protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje kur ishte arrestuar Albin Kurti në vitin 2015 i cili ishte arrestuar pa urdhër të Prokurorit. Kur u paraqita në prokurori, kuptova se kishte ndodhur një diçka jo e zakonshme. Ishte marrë vendim më 14.05 ( Molliqaj e përmend gabimisht duke dashur që të thotë 12 maj), që i bie dje ditë e diele. E Gjykatat dhe Prokuroria punojnë vetëm ditëve të punës, me përjashtim të rasteve urgjente. Fakti që është marrë ditën e diele e bën të dyshimtë. Në rastin e arrestimit tim janë shkelur procedura ligjore. Kur është duke u ndjekur dikush, para arrestimit së pari ju shkon ftesa për paraqitje në polici. Një ftesë konsiderohet e pranuar kur i dërgohet personit apo familjarëve fizikisht dhe nënshkruhet nga personi i thirrur.” ka thënë Molliqaj

Ai ka theksuar se nuk ka pasur ftesë nga Policia apo Prokuroria të cilëve u bëri thirrje që t’i kërkojnë falje.

“Unë i ftoj Prokurorinë publikisht që të dëshmojnë nëse dikush nga familjarët e mi ose unë e kam pranuar ftesën. Në të kundërtën duhet të kërkojnë falje dhe të pranojnë se janë shkelur procedurat të cilat i obligon ligji dhe organet e drejtësisë”.

Molliqaj tha se ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve për shkak të mënyrës se si jam arrestuar dhe shkeljeve ligjore që janë bërë nga ana e Prokurorisë.

“Bëhet fjalë për pretendimin e policisë dhe prokurorisë për sulmin ndaj një polici i cili nuk ka asnjë lëndim të lehtë trupor as asgjë tjetër. Mendoj se nuk ka të bëjë asgjë me sulmin. Për këtë do të vendosë gjykata pasi që sot ka filluar procesi. Për mua është e çuditshme se si një procesiI tillë ndodhë 4 vite pas. Kjo flet për një sistem të drejtësisë ende të kapur. Çka mundem të konstatoj është se ka shkelje të procedurave » ka thënë ai.

I pyetur se në çka dyshon që është arrestuar pas 4 vitesh, deputeti tha se me faktin që nuk ka pranuar ftesë del se ky arrestim është arrestim politik

“Nuk kam pasur ftesë zyrtarisht. Arrestimi del i pa nevojshëm. Pasi jam liruar pas 2-3 orëve. Deklarimet janë publike të Prokurorisë Themelore të Prishtinës që vendimit është marrë të dielën. Fakti që proceduralisht kemi probleme kjo flet për tendenca politike. Për të gjitha protestat që kam marrë pjesë, të gjitha kanë qenë publike dhe kanë qenë në media dhe të filmuara. Motivin nuk mund ta di saktë, por ka shkelje në arrestimin tim”

E në pyetjen se a është i penduar që ka marrë pjesë në protestën për kërkimin e lirimit të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit, Molliqaj tha se nuk i bie pishman.

“Nuk i bie aspak pishman që kam protestuar për lirimin e Albin Kurtit. Besoj se kanë qenë protesta të domosdoshme dhe të drejta në atë kohë”.

Molliqaj nuk ka kursyer kritikat ndaj ish partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje. I pyetur se si e komenton heshtjen e Vetëvendosjes karshi arrestimit tënd, Molliqaj u përgjigj se kjo tregon fytyrën e vërtetë të kësaj partie se angazhimin e tyre në politikë nuk e kanë përnjëmend dhe inatin personal e politik e vendosin para interesit publik.

“Besoj që flet shumë për ta, tregon mungesë të sinqeritetit politik sepse nëse e ke përnime angazhimin politik në Kosovë për çështje të krimit e korrupsionit atëherë saherë që arrestohet një opozitar duhet të reagosh pa marrë parasysh marrëdhënieve që mund ti kesh. Kjo është një tregues i rradhës se kush është në të vërtetë pjesa që ka mbetur në Vetëvendosje dhe inatin e tyre politik që është shenjë e dobësisë që nuk e vënë interesin publik para inateve politike dhe personale” ka përfunduar Molliqaj
Shtuar më 13/05/2019, ora 16:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori