Dyshohet se ngacmoi seksualisht nxënësen, arrestohet mësuesi nga Gjakova
Një mësues i një shkolle fillore në Gjakovë është arrestuar me dyshimin se ka ngacmuar seksualisht nxënëset e tij.

Prokuroria ka kërkuar që i dyshuari B.V. të mbahet për një muaj në paraburgim.

Për kërkesën për paraburgim ndaj mësimdhënësit që dyshohet për ngacmim seksual ndaj nxënësve të tij ka njoftuar Prokuroria Themelore e Gjakovës.

Ky është njoftimi:

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, për masën e caktimit të paraburgimit kundër të pandehurit B.V., për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale “ keqpërdorimi i personave nën moshën 16 vjeçare” nga neni 235 parag.4 nënparag 4.9 të KPRK-së.

I pandehuri B.V., që nga shtatori i vitit 2018, në cilësinë e mësimdhënësit të gjuhës shqipe në shkollën fillore ” Mazllum Këpuska”, në Gjakovë, dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka filluar ngacmimin seksual ndaj 27 nxënëseve të një klase/paralele, në këtë shkollë, duke përdorur fjalë joshëse e duke i ledhatuar e prekur në pjesë të fytyrës dhe në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
Shtuar më 22/01/2019, ora 14:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori