Dy vjet pas vendimit të Hagës, Haradinaj: Lufta e UÇK-së e drejtë dhe e shenjtë
Sot, dy vjet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që zhvishte nga çdo akuzë ish kryeministrin e Kosovës, nuk mund të kalohej pa u kujtuar nga vetë lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se ato kohë kanë qënë shumë të vështira për të dhe familjen e tij, ndërsa UÇK-ja ka bërë vetëm luftë të drejtë për liri dhe se nuk ka kryer krime.

"Të nderuar qytetarë të vendit, Sot u bënë dy vjet që nga vendimi i dytë i Tribunalit të Hagës për lirimin nga të gjitha pikat e akuzave që ishin ngritur kundër meje dhe ish-bashkëluftëtarëve në procesin e rigjykimit.

Më duhet ta pranojë se procesi i stërzgjatur i gjykimit dhe rigjykimit në Tribunalin e Hagës ka qenë shumë i vështirë dhe i dhimbshëm për mua dhe familjen time.

Durimi dhe besimi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë vetëm luftë të drejtë për liri dhe nuk ka kryer krime për të cilat jemi akuzuar padrejtësisht por edhe mbështetja dhe besimi i plotë në drejtësinë ndërkombëtare sot dy vjet përfundimisht u shpërblye me vendimin e drejtë dhe të merituar: shpalljen të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Lufta jonë për liri dhe pavarësi ishte dhe do të mbetet e drejtë dhe e shenjtë. RH", shkruan Haradinaj në Facebook. /albeu.com/
Shtuar më 29/11/2014, ora 11:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori