"DV": Kandidatët e LDK-së dhe PDK-së në balotazh
Pëlqej
Demokracia në Veprim
UPDATE - Koalicioni i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", e cila ka vëzhguar edhe zgjedhjet e sotme të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Rahovecit, para pak minutash njoftoi se sipas rezultateve preliminare më së shumti vota ka fituar kandidati i LDK-së, Ibrahim Kryeziu.

Pas kandidatit të LDK-së, numrin më të madh të votave nga zgjedhësit që kanë dalë sot në votime në Rahovec ka marrë kandidati i PDK-së, Xhelal Canziba.

Nëse këto rezultate konfirmohen më vonë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, atëherë në rundin e dytë do të garojnë kandidatët për kryetar të këtyre dy partive.

Njëri nga udhëheqësit e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në veprim”, Driton Selmani, ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetarRahovecit sipas të cilave:

Ibrahim Kryeziu nga LDK prin me 5.332 vota apo 27.77 për qind
Xhelal Canziba nga PDK ka fituar 5.263 vota ose 27.41 për qind
Smajl Latifi nga AAK 4.562 vota ose 25.32 për qind
Rexhep Oruqi i AKR-së 3.104 vota ose 16.16 për qind
Luljeta Kadiri nga LDD-ja ka fituar 643 vota ose 3.35 për qind

Numri i votave me kusht është 472, të cilat edhe mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar, derisa numri i votave të pavlefshme është 160.

Rreth orës 20:30, LDK ka shpallur fitoren e kandidatit të partisë së tij, Ibrahim Kryeziu. Sipas Beqirit, kandidati i LDK-së ka fituar 27 për qind të votave dhe “kjo fitore tregon se LDK-ja do të jetë fituese edhe e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të 12 dhjetorit. Menjëherë pas kësaj simpatizantët e LDK-së kanë dalë të kremtojnë nëpër rrugët e Rahovecit.

Para LDK-së, edhe PDK-ja ka shpallur fitoren e kandidatit të saj për kryetar Komune.

Mirëpo, siç dihet, fitues të zgjedhjeve për kryetar komune nuk ka pa marrjen e mbi 50 për qind të votave të elektoratit që del në zgjedhje, kështu që nuk do të ketë fitues para mbajtjes së rrethit të dytë, përkatësisht balotazhit, kur do të garojnë dy kandidatët që sonte fituan më së shumti vota.


KQZ: Votuan 41% e votuesve

20:20 - Në konferencën e mbajtur për media nga Komisioni Qendror Zgjedhor në orët e mbrëmjes, kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka theksoi se në zgjedhjet e së dielës në komunën e Rahovecit kanë dalur rreth 41 % e votuesve. Ajo tha se janë shënuar disa parregullsi, por jo incidente që kanë rrezikuar procesin zgjedhor. Gjithashtu, dalja e votuesve në zgjedhjet e së dielës në Rahovec ishte rreth 5% më e ulët se ajo e zgjedhjeve të kaluara lokale.

“Në zgjedhjet e sotme të mbajtura në komunën e Rahovecit, kanë votuar gjithsej 40.51%, ose 19,960 qytetarë me të drejtë vote. Në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve të kaluara lokale të mbajtura në komunën e Rahovecit, kjo shifër ka qenë më e lartë për rreth 5%, gjegjësisht 45.5%”, ka theksuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ende nuk ka dalë me një rezultat lidhur me zgjedhjet për kryetar të komunës së Rahovecit, ngase zyrtarë të saj kanë pohuar se ka një rezultat shumë të ngushtë mes partive, PDK, LDK, AAK dhe AKR.
Shtuar më 21/11/2010, ora 22:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori