Dorëzohen prindërit, përfundon bojkoti i mësimit
Objekti i shkollës fillore “Pavarësia” në Sibofc të Podujevës, nuk do të ndërtohet sivjet. Gojarisht këtë përgjigje ka marrë Këshilli i Prindërve dhe udhëheqja e shkollës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës. Përgjigjja negative ka irrituar prindërit që nuk duan të dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë që funksionon në një barakë të improvizuar si objekt shkollor nga KFOR-i çek, meqë ajo nuk plotëson kushtet elementare për mbajtje të mësimit dhe rrezikon shëndetin e fëmijëve.

Por, pavarësisht pakënaqësisë me këtë përgjigje të ministrisë dhe pasigurisë së fëmijëve të tyre në këtë objekt shkollor, prindërit janë dorëzuar. Ata kanë marrë vendim të ndërpresin bojkotin e mësimit të filluar më 23 janar në këtë shkollë, në shenjë revolte që ky objekt shkollor nuk ishte pjesë e planeve të ndërtimit të MASHT-it 14 vjet pas luftës, edhe pse kjo ministri ishte vënë në dijeni vazhdimisht me shkrim për kushtet alarmante në të cilat mbahej mësimi.

Tani, as bojkoti nuk i "brengosi" institucionet që të bëjnë zgjidhje. Një zgjidhje e ofruar gojore për të mbrojtur fëmijët nga rreziku i shëndetit, Këshilli i Prindërve ka pranuar se ka marrë dhe është mbështetur në të që të ndërpresë bojkotin, në pamundësi që të marrë ndonjë ofertë më të mirë dhe duke parë injorimin institucional, shkruan Zëri. /albeu.com/.
Shtuar më 03/02/2013, ora 09:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori