Dorëzohen para PDK-së
Presioni ndërkombëtar dhe “rreziku” se po dalin jashtë linjës politike të pëlqyer nga bashkësia ndërkombëtare po detyrojnë dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike e Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që herë pas here të rreshtohen në anën e Qeverisë së Kosovës.

Anëtarët e këtyre dy partive në çështje “vendore” shpeshherë tregohen kritikë ndaj Qeverisë së Kosovës, por shumica e proceseve politike që janë drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, përfshirë edhe bisedimet dhe marrëveshja e fundit me Serbinë, është mbështetur nga partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt, shkruan “Zëri”.

Ndonëse ka deputetë të këtyre dy partive që shprehen shumë kritikë ndaj proceseve politike në vend, shpeshherë ata e “ndërrojnë” qëndrimin sapo hyjnë në godinën e Kuvendit të Kosovës, ku votojnë pro politikave të qeverisë.

E tërë kjo situatë, që nga anëtarët e këtyre dy partive shihet jo si përkrahje për kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, por si mbështetje për procese të cilat po e forcojnë shtetin, nga analistët politikë cilësohen si veprime falë telefonatave dhe vizitave nga zyrtarët e ndryshëm perëndimorë.

“Sidomos tek rasti i dialogut. Gjithçka është nga presioni ndërkombëtar. Dialogu është projekt ndërkombëtar, është nisur nga bashkësia ndërkombëtare, ajo ka dashur që ta përfundojë edhe ajo ka bërë presion edhe tek partitë tjera opozitare që ta përkrahin projektin dhe të mos e pengojnë atë”, thotë analisti politik, Ardian Arifaj.

Ai thekson se sikur partitë politike në Kosovë të mos ishin të përçara, bashkësia ndërkombëtare do ta kishte shumë të vështirë që t’ua “nëpërkëmbë” qëndrimet.

Edhe analisti tjetër, Behxhet Shala, thotë se falë presionit ndërkombëtar deputetët e LDK-së dhe AAK-së shpeshherë janë më pozitë se vetë pozita.

“Në fakt, LDK-ja dhe Aleanca po e ndajnë fatin me PDK-në vetëm në raste kur ata janë të detyruar ta përkrahin PDK-në si pasojë e trysnisë së ndërkombëtarëve...”, tha Shala. /albeu.com/
Shtuar më 24/04/2013, ora 12:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori