Iu gjet arma e ekzekutimit të Emiljano Ramazani në servis, burg për babë e bir

Gjykata e Elbasanit ka vendosur sot masën arrest me burg për babë e bir, Albert dhe Seit Manhasa, në servisin e të cilëve u gjet arma e krimit që u ekzekutua Emiljano Ramazani.

Albert dhe Seit Manhasa u arrestuan nga policia tre ditë më parë, pas një aksioni të forcave”Shqiponja”.

Mbi ta rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Si ndodhi vrasja e Emiljano Ramazanit:

Emiljano Ramazani, babai i katër fëmijëve, rreth orës 16:30 kryente të njëjtën rutinë. Ai shkonte në palestër, ku qëndronte rreth një orë. Palestra ndodhet në lagjen “Beqir Dardha” dhe më pas kthehej në banesë. Pasi kanë llogaritur kohën dhe orën, autorët dyshohet se kanë ndjekur çdo lëvizje të tij. Sipas burimeve konfidenciale nga Policia, nga kamerat e sekuestruara është vënë re një person i dyshimtë, i cili përshkonte territorin e pallatit ku jetonte 39-vjeçari.

Emiljano Ramazani u ekzekutua me pesë plumba në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij, ndërsa një nga autorët ka parkuar mjetin buzë rrugës dhe tjetri ka zbritur dhe me hap të shpejtë ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën në momentin që ky i fundit ishte duke parkuar. Më pas, autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov.

Pas ngjarjes, Policia mori në pyetje rreth 30 veta, mes tyre edhe dëshmitarë të rastit. Në pyetje janë marrë edhe familjarë, por për shkak të sekretit hetimor Policia nuk jep asnjë detaj. Emiljano Ramazani, i njohur si Ismail Rrahmani, është i njohur nga drejtësia, pasi ai është arrestuar dy herë për veprën penale të shpërndarjes së lëndës narkotike, shkruan panorama.

Dyshohet se edhe vrasja e tij ka lidhje me territorin e shpërndarjes së lëndës narkotike. Aktualisht, kjo është e vetmja pistë që po heton Policia, ajo e pazareve të drogës.


Shtuar 30.07.2020 14:36