Dollia shkoi huq, Rama nuk plotëson dëshirën e Majkos për të hequr kufirin me Kosovën
Nga Ervin Shkulaku

Ministri i Diasporës Pandeli Majo ka një dëshirë të mocme që siç duket Edi Rama nuk ka për t'ja plotësuar kurrë. Majko kërkon të hiqet kufiri Shqipëri-Kosovë por Qeveria ka vendosur që këtë dëshirë të Majkos ta tregojë në publik sikur e ka plotësuar.

Më 1 janar të vitit të kaluar me anë të një statusi në Facebook, Pandeli Majko ka kritikuar ashpër qeveritë shqiptare se nuk e hoqën kufirin shqiptaro-shqiptar. E pas kësaj ai nuk u ndal por ka vazhduar që ta kërkojë me ngulm që ky kufihiqet dhe kulmi arriti në gusht kur Majko në një vizitë që pati në Skënderaj dha lajmin e madh: Nga 1 janari 2019 kufiri Kosovë-Shqipëri do të hiqet për qytetarët. E ky lajm nuk kaloi pa festuar me mish e dolli si e do tradita.

Por siç duket ai gëzim shkoi huq pasi qeveritë e dy vendeve nuk do ta heqin kufirin shqiptaro-shqiptar por do të bëjnë vetëm lehtësimin e prosedurave dhe në publik po e tregojnë me diplomaci si një arritje të madhe.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshja e ka pohuar edhe këtë duke shprehur : "Ndryshime të rëndësishme në menaxhimin e kufirit me Kosovën. Kontrollet e dyfishta hiqen. Policitë e të dy vendeve do të kryejnë së bashku kontrollet sipas parimit një ndalesë një kontroll."

Edhe ky veprim e ka një histori interesante. Në fakt kontrollet e dyfishta janë hequr kohë më pare, që kur ishte Isa Mustafa kryeministër dhe si me "magji" u rikthyen para disa muajsh të këtij viti. E tani nga 1 janari nuk do të bëhet tjetër veçse të rikthehen në gjendjen e mëparshme, pra sërish qytetarët do të kenë kontroll doganor dhe janë të detyruar të tregojnë kartat e identitetit.

Prandaj kjo nuk është heqje e kufirit dhe vështirë se ky kufi hiqet derisa Shqipëria dhe Kosova të jenë pjesë e Bashkimit Evropian./albeu.com/

Shtuar më 27/12/2018, ora 10:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori