Distancohet Presidentja: Takimet me liderët janë proces i veçantë
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, përmes një komunikate të lëshuar për media, dëshiron të sqarojë opinionin publik se takimet e presidentes Atifete Jahjaga me liderët e partive politike parlamentare janë proces i veçantë që synon të lehtësojë diskutimet mes tyre, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të reja të vendit në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Zyra e Presidentes thekson faktin se Kuvendi i Kosovës është institucion plotësisht autonom. Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e Presidentes për lehtësim të dialogut. Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e Kuvendit”, thuhet në këtë reagim të Presidencës.

Sipas kësaj komunikate, presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit.

Presidentja bën thirrje te të gjithë liderët politikë në vend që të përshpejtojnë gjetjen e zgjidhjes së çështjes për krijimin e institucioneve”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Shtuar më 01/10/2014, ora 21:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori