Disa shtete aziatike drejt njohjes së Kosovës
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto thotë se disa shtete aziatike po lëvizin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai përmend Sulltanatin e Bruneit dhe Tajlandën. Në një intervistë për Express, Haxhinasto thotë se marrëveshja për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, e ka forcuar pozicionin e shtetit të ri në raport me BE-në.

Haxhinasto ka treguar se posa është kthyer nga Azia Juglindore dhe atje ka parë lëvizje të shteteve që pritet ta njohin Kosovën.

“Mund të them se Sulltanati i Bruneit u shpreh shumë qartë, duke thënë se nuk ka asnjë pengesë që të njohin Kosovën dhe sigurisht ky është një angazhim serioz nga ana e këtij shteti dhe jam i bindur se në ditët e ardhshme do të kemi zhvillime pozitive”, ka paralajmëruar Haxhinasto.

Veç kësaj, ai ka bërë të ditur se tashmë tajlandezët kanë bërë hapin e parë drejt njohjes së Prishtinës, ngaqë kanë pranuar pasaportat e Republikë së Kosovës.

“Po kështu edhe në Tajlandë u shprehën shumë qartë se Tajlanda do të ndërmarrë hapa gradualë drejt njohjes së Kosovës dhe një hap i tillë i rëndësishëm ishte për shembull njohja e pasaportave dhe lejimi i qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë si shtetas të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Shtuar më 12/03/2012, ora 13:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori