Çfarë ndodhi?! Bllokohet procesi në një qendër votimi në Rrogozhinë

Në një qendër votimi në Rrogozhinë është ndërprerë procesi i votimit. Shkak është bërë fotografimi i votës në dy raste.

Pavarësisht këtij episodi, KQZ-ja në të dhënat e saj thotë se pjesëmarrja e votuesve është e lartë.

Në dy orët e para numri i pjesëmarrësve ka shkuar mbi 5%, shifër kjo shumë herë më e lartë krahasur me procesin e 14 majit.

Në Rrogozhinë janë 54 qendra votimi, në të cilat, 32 mijë e 826 qytetarë po u drejtohen qendrave të votimit dhe ndryshe nga 14 maji, do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun, ku po njëjtë si në zgjedhjet vendore, i pari në fletën e votimit është i renditur kandidati socialist Edison Memolla dhe numrin 2 e mban Shkëlqim Hoxha.

Shpresat për këtë të fundit janë shtuar, pasi në këto zgjedhje nuk do të votojnë të burgosurit, që në zgjedhjet e fundit vulosën fitoren e Edison Memollës. Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues, por me ankesë të koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet pas një sërë shkeljesh.


Shtuar 23.07.2023 10:06