Dorëheqja e Truss/ Johnson kthehet në Angli për të garuar sërish për kryeministër?

Boris Johnson është fotografuar nga Sky News ndërsa kthehet në Britaninë e Madhe. Ish-kryeministri britanik ishte me pushime në Republikën Domenikane, por mesa duket është nisur të kthehet në Londër pasi i kishte thënë një aleati të tij se do të garojë për të drejtuar vendin sërish.

Sipas asaj që raporton Sky News, Johnson udhëtoi me “economy class” bashkë me gruan dhe fëmijën ndërsa fotoja është shkrepur nga Michael Herd i Sky News. Johnson dhe familja e tij hipën në aeroplan para të gjithë të tjerëve, dhe sipas korrespondentit amerikan Mark Stone, reagimet ishin të ndryshme.

Ai raporton se disa pasagjerë dukeshin “pak të hutuar” dhe kishte disa ngacmime, duke shtuar: “Z. Johnson është ulur në economy class, mjaft afër pjesës së pasme të avionit, me gruan dhe fëmijët e tij.”

“Ka veshur kostum dhe duket i zhytur në mendime, por pak çaste më parë një nga fëmijët e tij po i ngjitej sipër, një familje që po kthehej nga pushimet e tyre”.

Ish-kryeministri ndodhej në Republikën Domenikane dy javët e fundit, dhe kishte pasur shumë spekulime se kur do të kthehej. Nuk dihet nëse Johnson e ndërpreu udhëtimin për të zënë sërish vendin në krye të ekzekutivit apo nëse thjesht kishte datën për t’u kthyer.