Dialogu politik nuk është në tavolinë
Dialogu politik me Serbinë nuk është në tavolinë as të Prishtinës, por as të Brukselit e Uashingtonit, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Hashim Thaçi.

“...Diçka e tillë çka ju po pyesni as që është në tavolina të punës së ndokujt as në Prishtinë, as në Bruksel e as në Uashington. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të përgjegjshëm për vazhdimin e dialogut për çështje teknike”, ka thënë Thaçi.

Sipas Thaçit, do të duhej të ndodhte gradualisht edhe mirëkuptimi dhe gatishmëria e lidershipit politik të Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje të fqinjësisë së mirë dhe njohjes reciproke.

Thaçi hedh poshtë çdo aranzhim që del jashtë pakos së Ahtisaarit për veriun. “...Zgjidhja e vetme edhe për veriun si për gjithë Kosovën është implementimi i plotë i dokumentit të presidentit Ahtisaari, pra rend dhe ligj, demokraci, zhvillim ekonomik, zgjedhje të lira, lidership legjitim, bashkëpunim i ngushtë i institucioneve të Republikës së Kosovës me ato lokale”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se, zgjidhja e vetme edhe për shumicën e qytetarëve në veri është integrimi dhe – sipas tij – “veç po shprehin gradualisht një gatishmëri të tillë, një distancim nga grupet ilegale dhe kriminale që do të ballafaqohen me drejtësinë”.

“Prandaj, Kosova edhe në të ardhmen, në këtë pjesë të rajonit do të ketë një angazhim mbikëqyrës dhe mbështetës ndërkombëtar”, theksoi kryeministri Thaçi, duke u përgjigjur në pyetjen nëse zgjidhja për veriun e Kosovës do të mund të ishte administrimi i përkohshëm ndërkombëtar. /Zëri/
Shtuar më 04/10/2011, ora 16:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori