Dialogu me Serbinë, Thaçi njofton krerët e partive për takimin e radhës
Para takimit të radhës me palën serbe, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi takoi sot përfaqësuesit e partive politike, Në fjalën e tij Thaçi u shpreh se në takimin e radhës, që do të mbahet më 17 janar 2013 në Bruksel, do të diskutohet për largimin e strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë nga Kosova si edhe krijimin e mekanizmit, i cili mundëson që ndihmat financiare të Serbisë për komunitetin serb që jeton në Kosovë, të bëhen në mënyrë transparente dhe të menaxhohen nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit serbë dhe ata ndërkombëtare.

Kreu i qeverisë ka nënvizuar se në këtë dialog, në asnjë mënyrë, nuk do të bisedohet për:

1. Statusin e Kosovës, apo, Pavarësinë e Republikës së Kosovës, të shpallur me 17 shkurt 2008.
2. Tërësinë territoriale të Kosovës, me kufijtë e njohur nga Propozimi Gjithëpërfshirës i Presidentit Ahtisaari (Mars 2007) dhe të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
3. Organizimin e brendshëm të Kosovës, që është kodifikuar me Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (Qershor 2008) dhe me Ligjet në fuqi.
4. Implementimin e të gjitha Marrëveshjeve të arritura në Dialogun Teknik të organizuar në Bruksel, prej 8 marsit 2011.


Spas tij qeveria e Kosovës është fuqimisht e interesuar që në këtë dialog, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përkrahur fuqishëm nga SHBA-të dhe shtetet më të mëdha perëndimore, brenda një periudhe të shkurtër kohore, të arrijë këto synime:

1. Fuqizimin e strukturave në Veri të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, në strukturave të qytetarëve të Veriut të Kosovës në pajtim me Propozimin e Presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjet në fuqi,
2. Largimin e strukturave të sigurisë së Serbisë nga Veriu i Kosovës,
3. Krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e Veriut të Kosovës dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.
4. Krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore,
5. Krijimin e rrethanave për organizimin e Regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.
6. Trajtimin adekuat ekonomik dhe zhvillimor të Veriut të Kosovës, i cili midis tjerash do të nënkuptojë themelimin e Fondit për zhvillimin e Veriut të Kosovës.
7. Arritjen e një Marrëveshje ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit.

Kosova pret që kjo marrëveshje e cila mund të arrihet në fund të këtij procesi të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duhet patjetër që t’i mundësoj Kosovës anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe në të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. /albeu.com/


Shtuar më 14/01/2013, ora 19:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori