Dialogu i vërtetë me Serbinë pas zgjedhjeve
Pëlqej
Hajredin Kuçi
Lidhur me përgatitjet e Kosovës për bisedime me Serbinë, zëvendëskryeministri në dorëheqje i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi tha për BBC se qëndrimi i qeverisë është që dialogu i vërtetë me Serbinë të fillojë pas mbajtjes së zgjedhjeve të lira e demokratike në Kosovë. Temat me rëndësi, tha ai, mund të diskutohen pasi të fitohet legjitimitet i plotë institucional e demokratik, ndërsa me herët edhe temat si për personat e pagjetur dhe të tjera.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Kuçi, por theksoi se nuk duhet patur “iluzione që veprimet e mëdha në këtë drejtim mund të bëhen para përfundimit të zgjedhjeve nacionale”.

Në këtë kontekst Kuçi tha se për Kosovën prioritet është konsolidimi i institucioneve, zgjedhjet fer dhe demokratike e pastaj raportet me Serbinë. Në konstatimin e BBC-së se nuk do të ketë bisedime deri pas vitit të ri, Kuçi sqaroi se takimet e niveleve politike me rëndësi “nuk mund të mbahen para zgjedhjeve”.

Ndërkaq, shtoi ai, nëse ka nevojë për grupe teknike, sikur që mund të jenë personat e pagjetur apo ndonjë temë e ngjashme, ato mund të jenë pjesë e takimeve dhe bisedimeve, gjë që ka qenë edhe më herët. Sa i përket qasjes së Serbisë ndaj dialogut me Kosovën, Kuçi konsideron se edhe për Beogradin është e qartë se cilat tema mund dhe nuk mund të diskutohen.

“Qëllimi i këtyre bisedave për ne, nuk është vetëm qëllim i ndërtimit të një raporti teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë, por është qëllim i përfundimit të një raporti konfliktuoz mbi njëshekullor dhe krijimit të raporteve të reja për një marrëveshje historike për normalizimin dhe rehabilitimin e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve”, tha Kuçi.
Shtuar më 18/11/2010, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori