Dialogu, ende nuk ka marrëveshje
Ka vazhduar edhe në orët e pasdites raundi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ndërsa palët ende nuk kanë arritur marrëveshje për temat që po diskutohen: bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

Burimet në Bruksel thonë se palët kanë afruar qëndrimet, por ende nuk ka marrëveshje të plotë.

Disa diplomatë thonë se konsultimet nuk po zhvillohen vetëm në Bruksel, por edhe mes Prishtinës dhe kryeqyteteve evropiane sikurse edhe mes Beogradit dhe kryeqyteteve evropiane.

Ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar, thuhet se ende nuk është arritur pajtimi për formulimin e fusnotës, me të cilën do të paraqitej Kosova në nismat rajonale.

Thuhet se po shqyrtohen shumë mundësi se si të formulohet ajo, por e sigurt është se do të ketë referenca në Rezolutën 12 44 dhe në mendimin këshilldhënës te Gjykatës Ndërkomëbatre të Drejtësisë.

Ndryshe edhe sot shefja e delegacionit kosovar, Edita Tahiri, iu ka shmangur gazetarëve, duke hyrë në ndërtesë, jo nga dera kryesore, nëpër të cilën hyjnë delegacionet, por përmes një hyrjeje tjetër.

Ndërkohë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviq, ka thënë se Serbia do të “bëjë çmos që të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal”, por gjithnjë duke respektuar "Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe interesat kombëtare serbe.”

Ai ka thënë se edhe në ditën e djeshme pala serbe ka qenë më konstruktive, por sipas tij, pala kosovare ka këmbëngulur në disa çështje të papranueshme për Serbinë.
Shtuar më 23/02/2012, ora 20:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori