Disa prej grave dhe fëmijëve të mitur të luftëtarëve shqiptarë, të vrarë në
Siri mbahen peng nga grupet radikale për të cilët ata luftonin, që u ndalojnë kthimin në atdhe.
Në kërkim të një atdheu të ri ku sundon ligji i Sheriatit, një numër luftëtarësh shqiptarë morën me vete gratë e fëmijët dhe u shpërngulën në
Siri për të luftuar me al-Qaedën dhe ISIS.
Dokumente zyrtare të sigurura nga BIRN zbulojnë se 13 gra dhe 31 fëmijë janë shpërnguluar në
Siri dhe një pjesë e tyrë kanë mbetur jetimë, pasi baballarët kanë humbur jetën në front. Nga 31 fëmijët e marrë në
Siri nga luftetaret, 23 janë të mitur.
Këto familje u nisën për në
Siri përgjatë viteve 2012-2014, ndërsa kryefamiljarët e tyre konsiderohen si më të devotshmit e 90 qytetarëve shqiptarë që u bënë pjesë luftës civile në
Siri, duke luftuar në krah të organizatave radikale.
BIRN ka siguruar dosjen e hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Shqipëri, ku zbulohet se gratë dhe fëmijët e luftetareve qëndrojnë në kampet e luftës, ndërsa baballarët luftojnë e vriten.
Të paktën në një rast, një luftëtar që ishte në përgjim nga SHISH dhe Prokuroria, ka marrë në
Siri fëmijët e tij pa pëlqimin e nënës se tyre, ndërsa dy punonjës policie e kanë ndihmuar atë t’i kalojë ata në mënyrë të paligjshme jashtë vendit.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se një pjesë e këtyre fëmijëve kanë mbetur jetimë mijëra kilometra larg shtëpisë, ndërkohë që grupet radikale për të cilët prindërit e tyre luftonin u ndalojnë kthimin në atdhe.
Oficeri antiterrorit ndihmoi luftëtarin
Eva dhe Endri
Dumani, 9 dhe 7 vjeç janë dy prej 31 fëmijëve shqiptarë, të mbetur mes katër rrugëve në
Siri. Babai i tyre, Shkëlzen
Dumani u vra në një betejë, teksa luftonte në krah të militantëve të ISIS më 5 nëntor të këtij viti, nëntë muaj pasi mori me mashtrim dhe pa dijeninë e së shoqes fëmijët dhe u nis drejt Sirisë.
Pas udhëtimit në
Siri,
Dumani i ka ndryshuar emrat e fëmijëve në Sara dhe Talha. Pas vdekjes së Dumanit, megjithë përpjekjet disa mujore të familjarëve dhe autoriteteve shtetërore
shqiptare, fëmijët e tij nuk lejohen nga ISIS të kthehen në atdhe.
Në një letër publike, nëna e fëmijëve Mide
Dumani, kërkonte dëshpërimisht ndihmë për kthimin e fëmijëve në shtëpi. Pas dështimit të përpjekjeve personale, ajo kërkon nga shteti që t’i bëhet krah në këtë betejë për kthimin e Evës dhe Endrit.
“Unë kam mundur të flas vetëm disa herë me ta, kur babai kthehej nga fronti i luftës, gjithnjë në praninë e njerëzve të armatosur. Eva dhe Endri janë tanimë pa baba dhe të pasigurtë për jetën e tyre. Ata janë pengje të një lufte të pakuptimtë,” bën apel nëna e fëmijëve.
Skeda e Interpolit për shpalljen në kërkim të fëmijëve Eva dhe Endri Dumani
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se autoritetet
shqiptare ishin në dijeni të planit të Shkëlzen Dumanit për t’u larguar bashkë me fëmijët drejt Sirisë, e megjithatë nuk ndërhynë për ta penguar.
Pozitat e Policisë
shqiptare rëndohen edhe më tej, pas zbulimit se dy punonjës të policisë së Rinasit, njëri prej të cilëve inspektor antiterrori, ndihmuan luftetarin për të kaluar pa probleme dy fëmijët e mitur përtej kufirit.
Sipas dosjes së siguruar nga BIRN, besimtari me origjinë nga Peshkopia ishte kujdesur gjatë për gjetjen e një mënyre për t’i nxjerrë jashtë vendit fëmijët, pa lejen e nënës së tyre me të cilën sapo kishte përfunduar në divorc.
Ai arriti të largohej bashkë me Evën dhe Endrin më 1 shkurt të vitit 2014, edhe pse në atë kohë ishte nën përgjim nga Prokuroria dhe Shërbimi Informativ Shtetëror.
Pak ditë para nisjes,
Dumani është përgjuar teksa fliste me imamin e tij, Bujar Hysa për rrezikun e ndalimit të fëmijëve në Rinas.
Por Hysa, i arrestuar në fillim të vitit si organizator i rekrutimeve për luftën e Sirisë e qetësonte dhe instruktonte se si të sillej.
“Ti për vizitë mjekësore do të ikësh në Turqi,” i sugjeronte të gënjente ai.
Para se të nisej drejt aeroportit të Rinasit, Shkëlzen
Dumani kishte marrë edhe masat paraprake. Me ndihmën e një noteri, ai mashtroi ish-bashkëshorten që të firmoste një prokurë për nxjerrjen e fëmijëve jashtë vendit.
“Unë mendova se po firmosja kontratën e shitjes së shtëpisë, por pa e ditur firmosa një pëlqim për largimin e fëmijëve jashtë vendit,” shkruan në letrën publike nëna e fëmijëve, Mide
Dumani.
Përveç biletave për veten dhe fëmijët, Shkëlzen
Dumani ka financuar udhëtimet Tiranë-Stamboll-Gynej edhe për dy besimtarë të tjerë myslimanë.
Kur ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, ai është ndihmuar nga një punonjës policie për të kaluar pa probleme kontrollin.
Prokuroria ka zbuluar se Shkëlzen
Dumani kishte përdorur një lidhje personale më një oficer antieksplozivi në Rinas për t’i nxjerrë fëmijët jashtë vendit.
Ditën e udhëtimit të Dumanit, ky punonjës policie nuk ndodhej me shërbim në Rinas, por arriti të ndërmjetësojë që luftetarin ta ndihmonte një koleg i tij.
Në aeroport,
Dumani ka takuar një koleg të oficerit, i cili e ka marrë mënjanë në dhomën e kontrollit të bagazheve. Me ndihmën e tij,
Dumani ka mundur të kalojë bashkë me fëmijët në pikën e kontrollit.
Ndryshe nga
Dumani një nga bashkëudharët e tij, Ilir Shala u ndalua në Rinas.
Shala u ndalua pak minuta pasi Shkëlzen
Dumani kishte hipur në avion, bashkë me dy fëmijët dhe pohoi para policisë se po udhëtonte drejt Turqisë për të gjetur punë.
Të afërmve ai u kishte thënë se do të ikte në Francë, ndërsa e vërteta është se ai po udhëtonte në drejtim të Sirisë, me biletë të paguar nga Shkëlzen
Dumani.
Që prej këtij momenti, Mide
Dumani nuk i ka parë më fëmijët e saj. Ajo ka folur shumë rrallë me ta përmes rrjetit Skype, por vrasja e ish-bashkëshortit në
Siri e ka shqetësuar edhe më tepër gruan e mbetur vetëm në Tiranë.
Ajo ka denoncuar prej shkurtit 2014 bashkëshortin për zhdukjen e fëmijëve, por shpallja e tyre në kërkim ndërkombëtar prej Interpolit nuk ka ndihmuar për kthimin e Evës dhe Endrit në shtëpi.
Nga ana tjetër, askush nuk është quajtur përgjegjës për neglizhencën dhe ndihmesën që i është dhënë Shkëlzen Dumanit, për t’i çuar fëmijët mijëra kilometra larg së ëmës.
Të kontaktuar nga BIRN, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme refuzuan të japin një përgjigje nëse dy punonjësit e policisë së Rinasit ishin proceduar për këtë episod.
Rasti në Kosovë, shpresë për Mide Dumanin
Erion Zena, fëmija 8-vjeçar nga Kosova arriti të kthehej pak javë më parë në krahët e së ëmës, pas qëndrimit për më shumë se pesë muaj në kampet e luftës në
Siri. Erioni ndante të njëjtin fat me Eva dhe Endri Dumanin; ai ishte marrë me vete në
Siri nga babai i vet pa lejen e së shoqes.
Lutjet e Pranvera Abazit për kthimin e të birit u përmbushën pas ndërhyrjes së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Shërbimi sekret arriti të hynte në negociata me luftetaret kosovarë në
Siri dhe pas disa muajsh, arriti ta kthente me sukses të miturin nga Siria.
Erioni kishte shkruar në
Siri me babanë e tij, Arben Zena, i cili ashtu si Shkëlzen
Dumani luftonte atje përkrah militantëve të ISIS. E ndërsa Pranvera Abazi ndjehet me fat, Mide
Dumani jeton prej një viti me ankthin e pasigurisë së fëmijëve të saj.
Burime nga Shërbimit Informativ Shtetëtor, SHISH, i thanë BIRN-it se një operacion i dytë negociatash, ku janë përfshirë shërbimet inteligjente Turke,
Shqiptare dhe Kosovare, ka filluar për kthimin në Shqipëri të Eva dhe Endri Dumanit.
Por edhe pse kanë kaluar 9 muaj, një ndërmarrje e tillë po rezulton më e vështirë se ç’ishte menduar. Para se të vdiste Shkëlzen
Dumani, thuhet se ka lënë si amanet të fundit qëndrimin e fëmijëve në
Siri.
Vëllai i tij deklaroi për mediat se Shkëlzeni u ka thënë miqve të tij që nëse vritej, të mos i kthenin fëmijët tek nëna e tyre. “Në Shqipëri nuk kanë mbetur më njerëz,” mësohet të ketë thënë militanti i ISIS-it, në ditët e fundit të jetës së vet.
Nëna e Dumanit udhëtoi pak javë pas të birit drejt Sirisë, për të kthyer nipin dhe mbesën e mitur në Shqipëri, por ky mision ende nuk është realizuar. Gjyshja bashkë me dy fëmijët ndodhen ende në kampet e ISIS në
Siri, në pritje të lejes për t’u larguar nga vendi.
Fëmijët, pengje në luftë
Eva dhe Endri
Dumani nuk janë fëmijët e vetëm shqiptarë që kanë mbetur jetimë në mes të luftës civile siriane. Dhjetë luftëtarë shqiptarë janë vrarë në këtë luftë nga viti 2012, dhe shumë prej tyre kanë marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët e mitur.
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka zbuluar se pesë prej të vrarëve kanë lënë në mes të luftës bashkëshortet e tyre dhe fëmijët e mitur. Nga të vrarët në
Siri, Hamit Myslija iku me katër fëmijët, Bledar Hamza me vajzën 2 vjeçare, Diamant Rasha me gruan dhe dy fëmijët ndërsa Hasan Korvafaj e Sherif Taushani kanë lënë pas nga 3 fëmijë.
Pjesa tjetër e 31 fëmijëve shqiptarë që aktualisht ndodhen në
Siri, i kanë të dy prindërit gjallë, edhe pse askush nuk mund t’u japë garanci për sa gjatë. Hetimi ka zbuluar se ata qëndrojnë me fëmijë e gra të luftetareve të huaj në kampet e luftës në qytete të ndryshme të Sirisë.
Ato nuk janë të lirë të kthehen në vendin e tyre, edhe pse luftetaret këmbëngulin për të kundërtën.
Floresha Rasha, gruaja e Diamant Rashës, ka mbetur në
Siri prej fillimit të vitit 2014, kohë kur bashkëshorti i saj u vra në luftë.
Në Shqipëri, Diamant Rasha i njohur me emrin Ebu Amar punonte si shpërndarës picash.Në
Siri, ai u kthye në luftëtar për ngritjen e Shtetit Islamik, për të cilin u vra nga një snajper në janar të vitit 2014.
Floresha Rasha, e mbetur atje me dy fëmijët e mitur donte të kthehej në Shqipëri, por luftetaret i nxorrën fillimisht si justifikim një rregull të paqartë, sipas të cilit familjarët e të vrarit nuk mund të largoheshin pa kaluar 4 muaj e 10 ditë nga vdekja e tij.
Por edhe pse ka kaluar thuajse një vit, ajo dhe fëmijët e saj nuk kanë mundur të mbërrijnë në Tiranë. Përgjimet telefonike kanë zbuluar se çështja e Floresha Rashës, e cila donte të largohej nga kampi ka shkaktuar shqetësim tek imamët në Tiranë.
Në një bisedë telefonike, Bujar Hysa i kërkonte një luftetari më të cilin ishte i afërt në
Siri që t’i mbushte mendjen gruas së ve të mos kthehej. “I kam thënë që nëse do të kthehet, do të përfundojë në burg,” i kthehej luftetari nga ana tjetër e telefonit.
Fëmijët e luftëtarëve shqiptare të vrarë që kanë mbetur në Siri
Halit Myslija, i vrarë më 10 tetor në
Siri
Vehbije Myslija së bashku me 3 djemtë dhe një vajzë ndodhen ende në kampet siriane
Bledar Hamza, i vrarë në
Siri
Ka lënë pas bashkëshorten Resmije Leçini dhe vajzën 2-vjeçare
Diamant Rasha, i vrarë në Janar 2014 në
Siri
Floresha Rasha, së bashku me vajzën 11 vjeçare dhe djalin 7 vjeç ndodhen ende në
Siri
Hasan Korvafaj, i vrarë në
Siri në vitin 2013
Bashkëshortja e tij Jusra dhe tre fëmijët e rritur ndodhen aktualisht në
Siri
Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit, i vrarë në
Siri
Bashkëshortja, tre fëmijët e mitur dhe dy prindërit ndodhen në kampet e luftës në
Siri
E ndërsa ditët kalonin, kthimi i të vesë së Diamand Rashës dhe fëmijëve të saj u bë edhe më i vështirë. Burime të Prokurorisë i thanë BIRN-it se vjehrrit të saj në Tiranë i ka mbërritur një kërkesë për t’i dhënë leje asaj të martohej me dikë tjetër në
Siri.
E ndërsa plaku ia ka lënë në dorë nuses së tij këtë vendim, nuk dihet ende se ç’bëhet me fatin e saj të mëtejshëm. Lajmet që mbërrijnë në Shqipëri për gratë dhe fëmijët janë gjithmonë të pakta dhe të paqarta.
Luftetaret e huaj u nisën drejt Sirisë me idenë e çlirimit të këtij vendi nga Presidenti Assad. Ata morën me vete familjet dhe fëmijët, për të populluar shtetin e ri që synojnë të themelojnë.
Gratë dhe fëmijët kanë mbetur pengje të kësaj aventure të rrezikshme, pa asnjë mundësi zgjedhjeje dhe shpëtimi.
Nëna e dy fëmijëve të mbetur në
Siri, Mide
Dumani vuan prej një viti mungesën tyre dhe jeton me shpresën se një ditë do t’i përqafojë përsëri.
“Eva dhe Endri janë fëmijët e mi, fëmijë shqiptarë, që kanë këtu shokët dhe shoqet e tyre, shkollën dhe lodrat e tyre. Ata gdhihen e ngrysen në një vend ku vdekja është më afër njeriut se Zotit. Ju lutem, më bashkoni me ta,” shkruan ajo në letrën e hapur duke kërkuar ndihmën e autoriteteve
shqiptare./albeu.com/
Shtuar më 17/12/2014,
ora 16:09