DETAJET/ Albin Kurti mund të lirohej lehtësisht nga paraburgimi
Për gati një muaj kandidati për kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputetja e kësaj partie, Donika Kadaj gjenden në qelinë e paraburgimit me akuzën e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës,shkruan albeu.com

Pavarësisht kërkesave për zbutje të dënimit deputetët e Vetëvendosjes rrezikojnë që vitin e ri ta kalojnë prapa hekurave.

Por, lirimi i tyre mund të kishte ndodhur lehtësisht nëse një subjekt politik do të ndërmerrte iniciativën për të dërguar në Kuvend një projektligj për amnisti të deputetëve që kanë hedhur gazin lotsjellës, pasi konsiderohet si një akuzë politike.

Madje kjo iniciativë ishte propozuar nga Kryeministi i Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e 14 dhjetorit. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një replikë me deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së kuvendit është shprehur se do të ishte mirë nëse nxirret nen, ligj, amnisiti, për t'i dhënë fund paraburgimit të deputetëve që janë të arrestuar për shkak të veprimeve politike.

E megjithatë asnjë iniciativë nuk u ndërmorr, madje as nga Lëvizja Vetëvendosje. Albeu.com ka pyetur edhe këtë subjekt pse nuk u ndërmorr një iniciative por cuditërisht e kanë injoruar edhe pyetjen duke mos u përgjigjur.

Tashmë pritet që seanca e radhës të mbahet në datën 29 dhjetor. Mbajtja e Albin Kurtit dhe Donika Kadaj në qeli mund të konsiderohet e turpshme për Kosovën, pasi fundja kanë qenë e shumë deputetë të tjerë që kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Edhe për Haradinajn mbajtja e Albin Kurtit në burg për shkak të kundërshtimeve të tij politike është e padrejtë.

Arsyeja e hedhjes së gazit lotsjellës ka qenë si një përpjekje për të ndalur formimin e Asiciacionit të Komunave me Shumicë Serbe, themelimin e Gjykatës Speciale dhe ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.-Ervin Shkulaku/Albeu.com.
Shtuar më 26/12/2017, ora 16:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori