Detaje nga tragjedia në Milloshevë: Dy fëmijët shkuan për t’u larë në liqenin disa metra të thellë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për ngjarjen tragjike që ndodhi sot në fshatin Milloshevë, ku dy fëmijë humbën jetën në një liqen artificial.

Policia ka bërë të ditur me anë të një komunikate për media, se thellësia në liqenin ku ka ndodhur ngjarja, është disa metra.

Po ashtu, sipas policisë, bashkë me dy fëmijët që humbën jetën, ishte edhe një shok i tyre.

“Sot më, 16.06.2020, rreth orës 15:00 Policia e Kosovës është njoftuar se në fshatin Milloshevë të komunës së Obiliqit, në një hapësirë me ujë, në formë të një liqeni të vogël artificial, me thellësi disa metra, tre fëmijë (dyshohet se kishin shkuar të laheshin) dhe dy nga ata, të moshës nëntë dhe njëmbëdhjetë vjeçar, nuk kanë arritur të dilnin nga uji”, thuhet në njoftim.

“”Fëmija i tretë, me vrap ka shkuar dhe kërkuar ndihmë nga qytetarët më të afërt. Po ashtu policia menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes së bashku më ekipin mjekësor. Një qytetar ka arrit ta nxjerr nga uji njërin fëmijë. Qytetari dhe ekipi mjekësor i kanë ofruar ndihmën e parë fëmijës, por bazuar në konstatimet e mjekëve trupi ishte pa shenja jete”, ka vazhduar tutje policia.

Në vend-ngjarje janë ftuar edhe ekipi i kërkim-shpëtimit i FSK-së. Ata, pas një kërkimi, kanë arritur që rreth orës 17:10 ta gjejnë edhe trupin tjetër, i cili po ashtu bazuar në konstatimet e ekipeve mjekësore që ishin në vend-ngjarje ishte pa shenja jete. Në vend të ngjarjes ka dal prokurori dhe kryetari i Komunës së Obiliqit.

Njësitet relevante policore, përfshirë hetues policorë dhe krim-teknika, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Bazuar në vendimin e prokurorit, dy trupat e pa jetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti iniciohet si ‘hetim mbi vdekjen’. Rasti do të kompletohet nga hetuesit policorë me deklarata, dëshmi relevante dhe raportin nga IML-ja.

Lajmi.net sot gjatë ditës ka raportuar në kohë reale nga vendi i ngjarjes.
Shtuar më 16/06/2020, ora 20:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori