“Kishte mundësi të emigronte, por zgjodhi të luftonte këtu”, Rudina Hajdari tregon tre arsyet se përse jetonte e guxonte Azemi

Në një takim të organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbi figurën dhe misionin e Azem Hajdarit, kur sot shënohet 24 vjetori i ndarjes së tij nga jeta, ka folur edhe vajza e të ndjerit, Rudina Hajdari.

Ajo ka deklaruar se babai i saj guxonte dhe luftonte për tre arsye: Familjen, atdheun dhe lirinë.

“Sa herë kam udhëtuar në Shqipëri më kanë treguar një kujtim. Disa në këtë shesh janë të rinj. Azemi ishte fare i ri kur ngriti krye kundër regjimit më të egër. Kush ka jetuar e di se ç’guxim duhej atëherë për më tepër për një student të ardhur nga Tropoja. Ç’guxim duhej për të bashkuar studentët e për të thirrur Liri Demokraci. Çfarë e motivonte të sakrifikonte aq shumë?

Pse guxonte aq shumë dhe ç’mund të bëjmë ne sot të ecim në atë lloj rruge. Në jetën time kam deduktuar që ai jetonte për tre gjëra, Familjen atdheun e lirinë. E urrente komunizmin mbi çdo gjë sepse përdhosi familjen duke i vënë familjarët kundër njëri tjetrit.

Komunizmi e përdori atdheun si lopë për ta mjelë vetëm disa në Bllok. ia mohoi lirinë shqiptarëve të thjeshtë.

Ndaj ai u përkushtua që ato parimi ti kthente në piedestal për të gjithë shqiptarët. Kishte mundësinë të emigronte por zgjodhi të luftonte këtu. Nuk zgjodhi të bënte të mirën për familjen e tij, por për të gjithë.

A nuk i ngjan Rilindja Komunizimit? A nuk po zaptojnë bregun si ata në Bllok dikur? Janë duke privuar lirinë e shqiptarëve, duke i përndjekur me patronazhistë, prapagandë, dhe inspektorë që godasin. Refuzoni nënshtrimin, mashtronim dhe investoni këtu në këtë vend. Jepni vlerë moshës që keni brenda jush”, tha ajo.