Dështimi me Tribunalen detyron Thaçin dhe Haradinajn të këmbejnë territore me Serbinë
Udhëheqësit e Kosovës me në krye Hashim Thaçin, pasi dështuan në zhbërjen e Tribunales Speciale, po mendojnë ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë si këmbim i territoreve.

Mësohet se Thaçi dhe Haradinaj, ka mundësi që idenë e tyre, e cila ide është më shumë e Beogradit se sa e tyre, e kanë prezantuar edhe në SHBA, në takimet që zhvilluan me këshilltarët e Presidentit Donald Trump, por edhe me drejtorin e CIA, përcjell Gazeta Ekspres.

Sipas burimeve, për këtë ide kanë qenë të informuar Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit Trump, H.R. McMaster, dhe zëvendëspresidenti Mike Pence.

Këtë ide e ka hedhur poshtë vitin e kaluar Mike Pence, në Samitin e Kartës Adriatikut që është mbajtur në Mal të Zi.

"Është shumë e rrezikshme si çështje edhe të mendohet. Kosova nuk përfiton asgjë prej saj. Rrezikon ta humbë veriun e vendit, kurse nuk mund të përfitojë asgjë", ka thënë një burim i huaj, sipas të cilit kjo temë i ka alarmuar miqtë kryesor të Kosovës.

"Kjo çështje po hapet për arsye personale. Dështuan me Tribunal, ose së paku kështu besojmë, e tash po provojnë të gjejnë një arsye tjetër. Kanë gjetur aleat në Serbi".

Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë.

Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, "nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës".

Sipas Vulinit, dialogu vetëm është duke e penguar anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kjo marrëveshja do të arrinte ta zgjidhte kontestin mes serbëve dhe shqiptarëve.

Ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i involvuar edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vucic. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qënë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë - kuptohet për ta ndarë Kosovën.

Një burim ndërkombëtar i ka thënë Gazetës Express se këtë temë, për interesa të tyre, po e shtyjnë shumë edhe pala greke. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka biseduar në Shtëpi të Bardhë me zyrtar të administratës Trump për një ide të tillë. /albeu.com/

"Grekët dëshirojnë të përfitojnë në Maqedoni, nga ndonjë ndarje eventuale", tha ky burim, duke shtuar që edhe Rusia është e interesuar për një zhvillim dramatik në Ballkan, duke marrë parasysh humbjen që e kishin pësuar në fund të shekullit të kaluar, kur për shkak të problemeve brenda shtetit të tyre kishin ngelur pa ndonjë përfitim nga zhvillimet në Ballkan.
Shtuar më 09/02/2018, ora 20:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori