Dëshmitari X, i sigurtë se po e priste plumbi
Dëshmitari X, Agim Zogaj
Në vazhdimin e gjashtë të letrave që i kishte lënë si “ditarë” dëshmitari X rrëfehet se ai në një mbrëmje kishte marrë një telefonatë nga njeriu që po e konsideronte si armik. Fatmir Limaj i kishte telefonuar në orën 20 e 30 minuta.

I kishte thënë se kishte besë tek Zogaj sa t’ia linte edhe familjen në dorë, shkruan e përditshmja Koha Ditore. Limaj e kishte lutur që të mos thoshte asgjë më shumë se që dinte. “Ai m’u lut diçka..., ‘të lutem vetëm çka s’asht mos ma ngjit. Por, pata dëshirë që të takohem me ty’. Unë nuk e pranova fare, as nuk dashta me ditë”, shkruan Zogaj.

Në një letër që e kishte shkruar më 15 janar 2005, që e kishte titulluar “Burgu shtëpiak”, Agim Zogaj po numëronte kontributin që kishte dhënë për Kosovën. Thoshte se nuk ishte frikësuar asnjëherë. Nuk po frikësohej as tash, vetëm se ishte i sigurt se po e priste plumbi.

Zogaj kishte dëgjuar shumë për burgun e Goli-Otokut. Në të kishin vuajtur dënimet shumë shqiptarë. Të ngjashme me vuajtjet e tyre i krahasonte edhe të tijat pas lufte. Të dorëzohej në Policinë e Kosovës nuk kishte besim. Nuk po u besonte as organeve të drejtësisë. Vetëm dikë po e shihte shpëtim: KFOR-in gjerman.

Ndihej jetim tek citonte një deklaratë të Fatmir Limajt të bërë në Gjyqin e Hagës. “Unë fort mirë e di se kah më sillet dhe prej kujt. Siç thoshte Fatmiri në Hagë, jam jetim. Edhe unë jam jetim e luani si të doni. Por unë kurrë nuk distancohem, se jam i pastër”, shkruante Zogaj.

Dorëzimin tek autoritetet ushtarake të NATO-s e arsyeton me presion nga të tjerët. Ndihej se tashmë ishte rrëzuar. Mezi po siguronte bukë për familje. Me e rënda për të ishte epiteti që ia kishin dhënë. Spiun po e quanin.

“Për ta pastruar veten dhe për të mos e mbajtur një njollë të zezë brezi familjar kërkova nga KFOR-i”. Ai u kishte thënë ushtarëve se donte të dëshmonte para kamerave televizive për të treguar, siç thoshte, prangat e tij dhe të familjes që u ishin vënë. /albeu.com/
Shtuar më 02/11/2011, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori